E një ditë pas ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti nuk ka treguar nëse do i përgjigjet kësaj ftesë në cilësinë e dëshmitarit. Kjo ftesë e Prokurorisë është për rastin e rezervave shtetërore. Njohësit e drejtësisë thonë se kjo ftesë nuk është e jashtëzakonshme. Andaj nuk ka nevojë për panik në publik.
Të hënën e 16 dhjetorit, ka marrë ftesë për tu paraqitur në cilësinë e dëshmitarit në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Burimet kanë bërë të ditur se shefi i Qeverisë, Albin Kurti është thirrur të dëgjohet për rastin e rezervave shtetërore-që ka të bëjë me veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Se a do t’i përgjigjet kësaj ftese pozitivisht nuk ka treguar të enjten kryeministri Kurti.
“E kam me nxitin sot”, ka deklaruar ai.
Për ish kryetarin e Gjykatës së Apelit, Hasan Shala nuk është diçka e jashtëzakonshme thirrja e kryeministrit për dëshmi.
Sipas Shalës, thirrja e tij në cilësinë e dëshmitarit nuk mund të bëhet pengesë për kandidimin e tij për deputet ose kryeministër për zgjedhjet e nëntë shkurtit.
“Unë mendoj që është duke u keqpërdorur kjo thirrje e Prokurorisë Speciale e dhënë për Kryeministrin për shkak që nuk është kurfar problemi. Unë mendoj që edhe kryeministri do i përgjigjet kësaj ftese dhe do të kontribuoj në zgjidhjen apo vërtetimin e drejtë të kësaj çështje se a kemi vepër penale apo s’kemi vepër penale ndaj këtyre të pandehurve që për momentin është duke u shfrytëzuar e drejta …”, ka deklaruar ish kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.
E një thirrje të tillë të specifikuar nuk e ka parë asnjëherë avokati Naim Rudari.
Rudari thotë se në këtë aspekt, Kurti nuk u trajtua njëjtë sikur qytetarët e thjeshtë pasi shumica prej tyre ftohen për dëshmi në telefon.
Televizioni ka kërkuar edhe të dhëna shtesë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për këtë thirrje, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë detaje.
Të pandehurit për rastin e rezervave shtetërore janë, Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.