Spitali Amerikan në Kosovë ka shprehur shqetësimin e thellë për siç thuhet rrjedhjen e fundit të paautorizuar të aktakuzës së Prokurorisë Speciale, në të cilën ky institucion përmendet në cilësinë e palës së dyshuar.
Në një deklaratë publike Spitali Amerikan sqaron se “në këtë moment, as ne dhe as avokati ynë nuk e kemi pranuar zyrtarisht aktakuzën” dhe se “kjo shkelje e konfidencialitetit minon parimet themelore të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë, të cilat janë gur-themelet e shtetit të së drejtës.”
Spitali Amerikan thotë se Prokuroria Speciale ka për detyrë të ofrojë fakte dhe jo të krijojë perceptim publik për fajësinë e të pandehurve apo të promovojë punën e saj publikisht, në barrë të palëve që i heton.
“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për nevojën e Prokurorisë Speciale për publicitet në këtë rast, pasi Prokuroria ka nxjerrë një njoftim publik lidhur me aktakuzën, para përmbushjes së detyrimit të saj për t’ia dorëzuar aktakuzën Spitalit Amerikan apo avokatit të tij.”
Zbulimi i parakohshëm i një informacioni kaq të ndjeshëm ndaj publikut, jo vetëm që komprometon të drejtën për një proces të drejtë, por gjithashtu ngre çështje serioze në lidhje me integritetin e procesit gjyqësor.
Spitali Amerikan në Kosovë kërkon hetime për shkelje ligjore për shkak të rrjedhjes së aktakuzës në publik dhe që autoritetet e drejtësisë të sigurojnë që përgjegjësit të mbahen përgjegjës për shkeljen e konfidencialitetit dhe detyrave zyrtare. Ndërsa nga mediat kërkon të përmbahen nga nxjerrja e përfundimeve bazuar në informacione jo të plota, selektive ose jozyrtare.
“Prandaj, presim që organet përgjegjëse të iniciojnë hetimet lidhur me këtë rast. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve, përfshirë mediat dhe publikun, që t’i qasen kësaj çështjeje me kujdes dhe të përmbahen nga nxjerrja e përfundimeve bazuar në informacione jo të plota, selektive ose jozyrtare. Spekulimet publike dhe konkluzionet e pabazuara nuk i ndihmojnë informimit të drejtë lidhur me këtë aktakuzë. Prandaj, çdo spekulim apo konkluzion, pa vërtetimin e fakteve nga Gjykata, mund të ketë vetëm motiv keqdashës.”
Spitali Amerikan është plotësisht i përkushtuar për adresimin e pretendimeve përmes kanaleve të duhura ligjore dhe ka besim në aftësinë e gjykatës për të zbardhur faktet dhe për trajtimin e drejtë dhe profesional të çështjes. I bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse të sigurojnë respektimin e konfidencialitetit dhe të mos ndikohen nga spekulimet publike të padrejta. Ndërsa, lidhur me akuzat, do të deklarohet avokati ynë, pas pranimit të aktakuzës.
Spitali Amerikan është investitor i huaj në Kosovë me aksionar SEEF2/SEAF (Southeast Europe Equity Fund) dhe me partnerë institucionalë amerikanë dhe evropianë. Të gjitha vendimet e tij janë marrë në mënyrë kolektive, transparente dhe janë të mbuluara nga Bordi si dhe nga aksionari amerikan. Prandaj, akuzat e bëra nga Prokuroria dhe që janë bërë publike janë absurde. Spitali Amerikan rezervon të drejtën që të mbajë përgjegjëse autoritetet shtetërore të Kosovës dhe zyrtarët e saj për dëmtimin e reputacionit të tij.
Spitali Amerikan ka punësuar mbi 600 profesionistë shëndetësorë në Kosovë. Me investimin dhe punën e saj të palodhshme, Spitali Amerikan i ka kontribuar ndjeshëm arritjeve të shëndetësisë në Kosovë si dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë, duke i mundësuar qytetarëve të Kosovës shërbime cilësore pa pasur nevojë që ata t’i kërkojnë këto shërbime jashtë shtetit. Spitali Amerikan do të vazhdojë përkushtimin e tij profesional, ndërsa lidhur me akuzat do të vendosë gjykata, pas vlerësimit të drejtë të fakteve.
Ndryshe, pas hetimeve disavjeçare, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 12 dhjetor 2024 aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamentin Special kundër personave fizikë E.M, K. A, E.LL, K.LL , I.L dhe personave juridikë M…, AHK dhe QKK.
Për të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale falsifikimi i dokumenteve dhe shpëlarje e parave sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Prokuroria Speciale nuk ka dhënë më shumë detaje në lidhje me rastin.