“Lista e zezë” e KFOR-it për qeveritarët që sillnin “probleme” në veri – KFOR i reagon kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi

Aktuale

“Lista e zezë” e KFOR-it për qeveritarët që sillnin “probleme” në veri – KFOR i reagon kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi

Më: 15 dhjetor 2024 Në ora: 20:53
KFOR

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ditë më parë ka deklaruar se ka ekzistuar një “listë e zezë” e KFOR-it, e cila ndalonte hyrjen e zyrtarëve qeveritarë në komunën që ai drejton.

Dikur ma ndalën komplet qeverinë. Kur erdhën amerikanët, ma qitën me letra, me fotografi. Ju thashë: ‘A jeni bre normal ju? Qysh funksionon kryetari pa një qeveri, që komplet e keni shti në listë të zezë?’” – tha Hetemi.

Ai ka theksuar se në këtë listë përfshiheshin emra si Radoica, Arbër Vokrri dhe Elbert Krasniqi, ndërsa përjashtime ishin kryeministri dhe presidentja Vjosa Osmani.

Sipas Hetemit, KFOR-i ka menduar se hyrja e ministrave në komunë mund të krijonte tensione.

Kam thënë KFOR-it amerikan që nuk dal prej këtuhit pa u stabilizu gjendja edhe qytetari serb me ardh këtu, e jo me shku në Bistric me u maltretu,” shtoi ai.

KFOR-i i mohon pretendimet

Në reagim ndaj këtyre deklaratave, KFOR-i i ka quajtur të pabazuara pretendimet për ekzistencën e “listave të zeza” që ndalojnë hyrjen e zyrtarëve qeveritarë në Komunën e Leposaviqit.

“KFOR-i nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Ata theksojnë se mbajnë komunikime të rregullta me të gjithë homologët kryesorë dhe veprojnë me transparencë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

KFOR-i gjithashtu u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe të ndikojnë negativisht në stabilitetin rajonal.

Në fund, KFOR-i rikujtoi se mandati i tij i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 mbetet i pandryshuar.

Ai vazhdon të kontribuojë në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat