Kërkohet të ngritet niveli ushtarak pas kërcënimeve të Serbisë

Aktuale

Kërkohet të ngritet niveli ushtarak pas kërcënimeve të Serbisë

Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 07:24
Foto ilustrim

Sulmi i fundit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit por edhe paralajmërimet për sulme tjera nga grupe kriminale, po shihen si një alarm për institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes. Ish-ushtarakë thonë për televizionin se duhet rritur numri i pjesëtarëve aktivë por edhe rezervë të FSK-së.

Sulmi i fundit në kanalin e Ibër Lepencit që u cilësua si akt terrorist, po vlerësohet se është vazhdimësi e kërcënimeve të fundit që vijnë nga Serbia.

Ndaj, po kërkohet që vigjilenca e institucioneve të sigurisë të rritet në atë pjesë të vendit.

Krahas kësaj, edhe ngritja e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës po shihet si e nevojshme, për shkak të ndryshimeve gjeopolitike në botë por edhe rajon.

Gjenerali ushtarak në Kroaci, Esad Çollaku thotë se bazuar në situatën aktuale të sigurisë, FSK-ja duhet ta rrisë gjendjen e gatishmërisë.

“Kosova sipas meje edhe vetë gjeopolitika që është në rreth të Kosovës e don një strategji tjetër që çdo herë niveli i ushtrisë dhe sigurisë në nivelin në qoftë se kemi pesë nivele, të jetë në nivelin tre ose katër sepse e dijmë mirë çfarë fqinji kemi përreth kur flasim për Serbinë”, thotë  gjenerali Esad Qollaku

Sipas tij, numri aktual i ushtarakëve dhe njësive brenda FSK-së është i pamjaftueshëm, andaj duhet rritur edhe numri i tyre.

“Kosova çdo herë duhet t’i ketë nën petkun e ushtrisë të përgatirur 6 mijë e 500 ushtarë të cilët janë në gjendje gatishmërie gjithëherë që çdo moment mund t’i përballen një force  të armikut në qoftë se rrezikohet territori i saj edhe natyrisht që propozimi im ka qenë gjithmonë që ndërmjet 3 mijë e 500 dhe 5 mijë pjesëtarë rezervë duhen të jenë deri në moshën 45-vjeçare të renditur dhe përgatitur”, vlerëson Qollaku.

Ndërkaq, koloneli në pension i FSK-së, Hysen Gecaj vlerëson se në bazë të zhvillimeve gjeopolitike, duhet tejkaluar planin e tranzicionit.

”Tani në këto kushte FSK-ja duhet të ecë dukshëm më shpejt përpara edhe në kuptimin e shtimit të numrit të pjesëtarëve të FSK-së por njëkohësisht kur shtohet numri i pjesëtarëve atëherë duhet të kemi parasysh edhe ngritjen e tyre profesionale pra shkollimin dhe trajnimet e tyre dhe njëherit armatosjen me armatimet adekuate të cilat janë të nevojshme për secilën ushtri”, thotë Gecaj.

Buxheti për vitin 2025 në fushën e mbrojtjes është më i larti ndonjëherë, që kap shifrën e 208 milionë eurove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat