Ndodhet në udhëtim jashtë vendit, Kurti s’paraqitet në Prokurorinë Speciale

Aktuale

Ndodhet në udhëtim jashtë vendit, Kurti s’paraqitet në Prokurorinë Speciale

Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 07:34 Përditësuar në ora: 10:24 më 16.12.2024
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur më 16 dhjetor në Prokurorinë Speciale, megjithë ftesën që i ishte bërë javën e kaluar për të dëshmuar sot në orën 9:30 lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nga Kryeministria janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet.

Një ditë më herët, Kurti kishte publikuar në rrjete sociale fotografi nga vizita e tij në Slloveni.

Katër ditë më parë, burime të Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale e kishin konfirmuar se Kurti është ftuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e implikuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.

Në gusht të vitit të kaluar, disa persona ishin arresuar nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punëonjës të MINT-it.

Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve nga portali “Nacionale” në Kosovë, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, si dhe rezervat e grurit, nuk kishin arritur kurrë.

Hajdari kishte thënë në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.

Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

Pas ftesës për intervistim në Prokurorinë Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore, Hajdari ishte mbrojtur në heshtje në paraqitjen e saj para prokurorve.

Rezervat shtetërore përbëhen nga mielli, vaji, sheqeri, barnat, produktet higjienike, nafta etj., që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme - si pasojë e fatkeqësive natyrore apo luftërave - por edhe në rast të mungesës së këtyre artikujve në treg.

Ato i menaxhon Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Kosova nisi mbledhjen e këtyre rezervave nga viti 2012. Ato sigurohen me buxhet të shtetit, por edhe nga mallrat që konfiskohen për shkak të veprave kundërvajtëse dhe kalojnë në pronësi të shtetit.

Se sa është sasia e këtyre rezervave nuk dihet, meqë ky informacion, me Ligjin për rezervat shtetërore, konsiderohet sekret shtetëror, ashtu si edhe vendndodhja e tyre./REL

Pamje para Prokurorisë Speciale ku Kryeministri Kurti është ftuar të paraqitet si dëshmitar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është thirrur për të dëshmuar nga Prokuroria Speciale të sot, më 16 dhjetor 2024.

Kryeministri Kurti është thirrur në cilësinë e dëshmitarit për një rast që lidhet me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar kryeministrit (të publikuar nga Kryeziu) përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore.

Intervistimi do të duhej të niste nga ora 09:30 në objektin e Prokurorisë Speciale.

Kryeministri Kurti ftohet sot në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ftuar sot të japë dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale.

Ai parashihet të shkojë në objektin e prokurorisë nga ora 09:30.

Kurti është ftuar në cilësinë e dëshmitarit për një rast të keqpërdorimit të pozitës apo autoriteteti zyrtar, por nuk dihet më shumë.

Kjo ftesë i është dërguar kryeministrit Kurti që nga 12 dhjetori, por ende nuk dihet nëse ai do ta paraqitet para Prokurorisë.

Ai ishte pyetur nëse do ta respektojë ftesën e institucionit, por u përgjigj me vetëm: ”Jam me nxitim…!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat