Për shpërthimin me eksploziv në një zonë të kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok për të cilin qeveria kosovare beson se “është orkestruar nga Serbia”, ambasadori amerikan në Beograd, Chris Hill, ka thënë se, tash për tash, ShBA-të “nuk shohin bazë për të drejtuar gishtin te dikush”.
Christopher Hill në lidhje me sulmin në infrastrukturën jetike që edhe nga Bashkimi Evropian është definuar si terrorist, tha se “është e rëndësishme që të ndodh hetim kredibil” derisa u thirr në, siç tha ai, gatishmërinë (deklarative) të shtetit serb “për të mbështetur hetim serioz”.
“(Hetim) me pjesëmarrjen e faktorëve ndërkombëtare, amerikanët janë të gatshëm për këtë, mendoj se do të ketë përpjekje që të jetë edhe BE-ja dhe shpresoj që të arrijmë një lloj rezultati. (Shpërthimi) mund të kishte sjellë probleme të mëdha, por fatmirësisht ata ia dolën të rregullojnë gjërat brenda orës, ndërsa brenda disa ditësh gjithçka u normalizua…mirëpo kjo nuk do të thotë se ne s’duhet të përcaktojmë si ndodhi dhe kush është përgjegjës”, ka thënë Hill.
“Nuk besoj në këtë moment se ka bazë për t’i drejtuar gishtin dikujt. Ajo që është e rëndësishme është të bëhet një hetim i besueshëm. Qeveria në Serbi tha shumë herët se mbështet një hetim serioz”.