Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka quajtur të papranueshme sjelljen e kryeministrit Albin Kurti për të mos u paraqitur në ftesën e Prokurorisë Speciale si dëshmitar.
“E papranueshme, koncepti i sjelljes së tij është i gabuar, dhe nënkupton këndvështrimin dhe vlerësimin e kryeministrit dhe njerëzve të tij në përgjithësi. Nëse vlerëson që duhet të kemi sundim dhe rend të ligjit atëherë të punojë për drejtësinë…”, ka deklaruar ai.
Gashi ka theksuar se mosparaqitja e kryeministrit Kurti në Prokurorinë Speciale, “sinjalizon qytetarët se mund ta anashkalojnë ftesën e prokurorisë”.
“Një çështje që mendoj se duhet ta komentojë është mosparaqitja e kryeministrit Kurti në Prokurorinë Speciale, sinjali që dërgohet është i gabuar. Qytetarëve të Kosovës iu dërgohet mesazhi nga kryeministri se ata mund të anashkalojnë Gjykatën dhe Prokurorinë, dhe kjo është element i sjelljes së Lëvizjes Vetëvendosje.
Në të gjitha rastet kur deputetët e LVV-së dhe vetë kryeministri kanë qenë të akuzuar për dhunën që kanë ushtuar brenda Kuvendit të Kosovës dhe jashtë tij, i kanë pizatur rastet duke quar me parashkrim dhe ky po ashtu është një sinjal i gabuar për qytetarët kur drejtësia nuk është dhënë por është parashkruar rasti.
Ky është në dëmtim i demokracisë, një dëmtim i kuptimit për sundimin dhe rendin e ligjit. Kur një ministre e drejtësisë e lë rastin t’i parashkruhet domethënë nuk është e interesuar që të ndahet me drejtësi”, ka theksuar Gashi në konferencë për media të hënën pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.