Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se seancat e mbajtura më 5 dhjetor nuk kanë qenë të bojkotuara nga deputetët, por sipas tij, atyre iu pamundësua pjesëmarrja.
Ai tha se për këtë e ka kritikuar kryeparlamentarin Glauk Konjufca e poashtu edhe mazhorancën.
“Iu dhash vërejtje për mënyrën se si janë mbajtur ato seanca, është kundërshtim flagrant me rregulloren dhe kushtetutën e Kosovës, duke i dhunuar të drejtat e një deputeti për punën e tij në seanca plenare. Nuk ka qenë bojkotim i deputetëve, por na u pamundësua pjesëmarrja”, tha ai.
Më tutje, Tahiri tha se Kosova së shpejti do ta ketë një kryeministër të ri pasi në shkurt mbahen zgjedhjet e reja.
“Këta që po shkojnë kanë qenë të papjekur. Me këta njerëz, relacionet nuk mund të ndryshojnë, sanksionet do të vazhdojnë”, tha Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë.
Deputeti i PDK-së, poashtu foli për ftesën e Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Në radhë të parë është mesazh i keq për qytetarët se si e tejkalon kryeministri organin e akuzës dhe siç e dini që më bazë të Kushtetutës, pushtetet janë të ndara. Organi i akuzës është ai që ndalon keqpërdorimet dhe korrupsionin dhe me këtë rast organi i akuzës ka diçka për të sqaruar. Mendoj që është mesazh i keq ajo se çfarë është parë sot”, tha Tahiri pasi Kurti nuk shkoi në Prokurorinë Speciale pasi që gjendet jashtë vendit.