​Dy nga policët e lënduar në veri pritet të lirohen në shtëpi

Aktuale

​Dy nga policët e lënduar në veri pritet të lirohen në shtëpi

Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 13:26
Foto nga vendngjarja

Dy nga tre policët e lënduar në një aksident në veri të vendit, të cilët po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pritet të lirohen në shtëpi, ndërkaq trajtimin do të vazhdojë aty njëri nga të lënduarit.

Kështu ka bërë të ditur ShSKUK përmes një njoftimi në të cilin thuhet se polici i cili do të vazhdojë të qëndrojë i hospitalizuar do t’i nënshtrohet një operacioni.

“Trajtimin shëndetësor do të vazhdojë njëri nga të lënduarit që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, i cili aktualisht ka gjendje stabile shëndetësore dhe pritet që t'i nënshtrohet një operacioni”, thuhet në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur se njëri nga policët që është operuar në “në kërcin e gjurit, në Klinikën e Ortopedisë, ka gjendje stabile shëndetësore dhe pritet të lirohet gjatë ditës së nesërme”.

Ndërkaq rasti tjetër që ka marrë trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale pritet që gjatë ditës të lirohet në shtëpi.

Aksidenti ndodhi të premten rreth orës 20:00, sipas Policisë së Kosovës.

Në këtë aksident janë përfshirë drejtuesi i automjetit zyrtar dhe shtatë pjesëtarë të PK-së, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës.

Dyshohet se drejtuesi i automjetit zyrtar të blinduar ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rrugës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat