​Kusari-Lila flet për agjendën e seancës së përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë

Aktuale

​Kusari-Lila flet për agjendën e seancës së përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë

Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 14:42
Mimoza Kusari-Lila

Në Prishtinë do të mbahet seanca e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë. Të premten në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen deputetë të të dyja kuvendeve.

Kështu bëri të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila foli edhe për agjendën e asaj seance.

Kusari-Lila: Të premten mbledhje e dy kuvendeve 

“Ky takim i fundit për këtë legjislaturë do të mbahet më 20 dhjetor, ditën e premte me fillim në orën 11:00. Në agjendën e këtij takimi do të jetë fjalimi apo adresimi i dy kryetarëve të kuvendeve, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, adresimi i dy kryeministrave të qeverive dhe adresimi i kryetarëve të grupeve parlamentare. Synimi i përbashkët është agjenda e përbashkët evropiane për të dy shtetet, për Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë si dhe kjo është e vetmja periudhë kohore, në të cilën legjislatura e tetë mund të mblidhet kur kihet parasysh që vitin tjetër përveç zgjedhjeve tona janë edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi ajo.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefja e deputetëve të shumicës parlamentare tha se gjatë kësaj jave do të definohet nëse do të ketë mundësi kuvendi të mbledh 80 deputetë për të proceduar me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kusari-Lila: Nuk i duhet askujt një seancë e dështuar

“U diskutua, ka qenë e nevojshme dhe shumë e vonuar mbajtja e seancave për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Siç e dini, disa herë nga kjo kryesi kam dalë dhe kam deklaruar se kemi miratimin apo edhe vet drejtuesit e grupeve parlamentare të opozitës kanë thënë se do i mbështesin marrëveshjet ndërkombëtare. Përderisa në seancë nuk ka pasur mjaftueshëm deputetë për të arritur numrin 80 që të mund të vinim në votim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Prandaj edhe sot u trajtua si temë, ne si GP e kemi konfirmimin edhe të deputetëve të cilët kanë vendosur që të mos ri-kandidojnë që në rast të mbajtjes së një seance me votime do të jenë prezent. Prandaj pritet konfirmimi nga grupet parlamentare të opozitës. Nuk do të donim që të mbyllim këtë sesion me tentativën për tu mbledhur me kuorum me 80 vota dhe të kemi një dështim. Nuk i duhet askujt një seancë e dështuar”, shtoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat