Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë thonë se e kaluara e disa kandidatëve të propozuar për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është shqetësuese.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme ua kufizon të drejtën për të garuar atyre personave që në tre vjetët e fundit janë dënuar me vendim të formës së prerë me së paku një vit burg.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se në listat zgjedhore, të publikuara tashmë nga partitë politike, nuk kanë vërejtur ndonjë kandidat, i cili ka dënim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.
Por, sipas drejtorit ekzekutiv të këtij instituti, Ehat Miftaraj, në ato lista ka një numër të caktuar të kandidatëve që para më shumë se tre vjetësh janë dënuar për vepra penale të korrupsionit ose të tjera, si dhe të tillë që aktualisht janë në procedura gjyqësore.
“Kjo na sjell në një situatë - si IKD e kemi thënë vazhdimisht - që e cenon integritetin e kandidatëve, të Kuvendit, por edhe të institucioneve të tjera”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, përfshirja e figurave të tilla për deputetë është qasje jo e mirë e partive politike, të cilat në fushatat e kaluara zgjedhore, por edhe në parafushatën aktuale promovojnë sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe integritetin institucional.
“Kur të njëjtat parti i promovojnë këto në plan-programet e tyre dhe të njëjtat propozojnë kandidatë që kanë probleme me ligjin... besoj që, në njëfarë mënyre, kjo e dëshmon më së ashpri profilizimin e tyre”, thotë Miftaraj.
Burbuqe Kastrati nga Lëvizja FOL - që promovon përmirësimin e cilësisë dhe zbatimit të politikave të integritetit të institucioneve publike - thotë se përzgjedhja e kandidatëve që kanë pasur ose kanë probleme me ligjin, tregon mungesën e vullnetit politik të partive për të vendosur standarde të qarta të etikës.
Kjo qasje, sipas saj, mund t’u hakmerret vetë atyre.
“Përballja me akuza e dëmton reputacionin e këtyre kandidatëve në fjalë. Po ashtu, ka tendencë që ta ulë besimin e publikut në institucione dhe në partitë politike kosovare”, vlerëson Kastrati.
Nga IKD-ja dhe Lëvizja FOL nuk i specifikojnë emrat e kandidatëve për deputetë që kanë pasur ose kanë probleme me ligjin. Por, thonë se brenda pak ditësh do t’i publikojnë analizat e tyre, që përfshijnë edhe emrat e tyre.
Në një postim të mëhershëm në rrjetet sociale, Miftaraj shkroi se listës me kandidatë të tillë “i prin Lëvizja Vetëvendosje nga numri, pasuar nga AAK-ja (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës)”.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë “lista më të pastra”, sipas tij.
Çka thonë partitë politike?
Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Lëvizje Vetëvendosje në pushtet, lidhur me këtë temë, por nuk mori përgjigje.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se nuk kanë asnjë kandidat në listë që bie ndesh me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Shefi i shtabit zgjedhor të AAK-së, Muharrem Nitaj, thotë se në listën e kësaj partie nuk ka persona që në tre vjetët e fundit janë dënuar me vendim të formës së prerë. Por, pa e përmendur me emër, pranon se një nga kandidatët e AAK-së, aktualisht, është në procedurë gjyqësore.
“Mesa di unë, është një kandidat që është në procedurë gjyqësore, mirëpo që nuk i ka përfunduar akoma procedura. Ju e dini parimin e shenjtë në drejtësi - prezumimin e pafajësisë - derisa vendimi nuk është i formës së prerë...”, thotë Nitaj për Radion Evropa e Lirë.
Prezumimi i pafajësisë nënkupton që një i akuzuar për kryerjen e një vepre penale konsiderohet i pafajshëm derisa të faktohet fajësia e tij.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mimoza Ahmetaj, thotë në anën tjetër se në listën zgjedhore të kësaj partie “nuk ka asnjë kandidat që është në procese gjyqësore, apo që ka verdikte të prera”.
Fokus i partisë, sipas saj, ishte lista e pastër.
“...të sjellim kuadro të reja, që konsiderojmë se mund t’i shërbejnë shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, si dhe, absolutisht, nuk kanë probleme me ligjin”, thotë Ahmetaj për Radion Evropa e Lirë.
Në listën zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, po ashtu, nuk ka asnjë kandidat që ka pasur ose ka probleme me ligjin, deklaron nënkryetari i saj, Lutfi Haziri.
Sipas tij, kandidatët e LDK-së nuk kanë, madje, as ndonjë dënim për kundërvajtje.
“Nëse e kemi ditur [që ka probleme me ligjin], ne nuk e kemi lejuar në listë... Fundja, politika është besim. Me njerëz që e kanë integritetin e dëmtuar, të rrënuar, të dënuar për çfarëdo vepre qoftë, nuk mund të sigurosh qeverisje të mirë dhe me duar të pastra”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë thonë qytetarët?
Mirjeta Morina, juriste nga Prishtina, vlerëson se përderisa nuk ka ndonjë vendim të prerë të gjykatës për cilindo person, atij nuk mund t’i ndalohet të kandidojë për deputet.
Megjithatë, ajo nuk e sheh si veprim të duhur të partive politike përfshirjen e personave që kanë ose kanë pasur çfarëdo problemesh me ligjin.
“Nuk mendoj se është më e mira e mundshme. Mendoj se mund t’u japim më shumë hapësirë njerëzve të rinj”, thotë Morina.
Listat me figura të tilla janë zhgënjyese për pensionistin Nurtez Rizani.
“Për nder, nëse unë e di që ka njerëz të tillë, nuk do t’ua jepja votën. Pra, edhe nëse e dua atë parti, nuk do t’ia jepja votën”, thotë ai.
E, për Dritëro Bekajn, me profesion dentist, listat me ata emra nuk janë tjetër veçse “hipokrizi”.
“Ata të na tregojnë neve për ligjin - çdo ditë na thonë se duhet respektuar ligji - e vetë nuk e respektojnë”, shprehet Bekaj.
Qytetarët si "filtër”
Përkundër që Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk e ndalojnë kandidimin për deputetë të personave që nga gjykata nuk kanë aktvendim të prerë me dënim prej një viti burg në tre vjetët e fundit, Miftaraj thotë se partitë politike është dashur t’i zbatojnë praktikat më të mira evropiane.
Sipas tij, ato nuk do të duhej të përfshinin në lista zgjedhore persona, që nga publiku mund të perceptohen si “të papërshtatshëm” për funksione të larta.
“Unë mendoj se filtri më i mirë tani do të jetë qytetari, votuesi, i cili gjatë plotësimit të fletëvotimit me 10 kandidatë, do të duhej të sigurohej që t’i votojë vetëm ata emra që janë të pastër dhe që nuk kanë probleme me ligjin”, thotë Miftaraj.
“Kjo situatë kërkon reforma të brendshme partiake”, shton në anën tjetër Kastrati.
Sipas saj, “duhet të rritet edhe vetëdija e qytetarëve që njerëzit që kanë probleme ligjore, të mos votohen”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që deri më 25 dhjetor ta përfundojë verifikimin dhe certifikimin e kandidatëve të partive politike që do të garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit, 2025.
Në zgjedhjet e fundit, më 2021, KQZ-ja tha se në mesin e 28 subjekteve politike që garuan, 15 prej tyre kishin kandidatë me probleme me ligjin.
Nga rreth 1.080 kandidatë që u paraqitën atëkohë, KQZ-ja nuk certifikoi 47 prej tyre, të cilët ishin shpallur fajtorë për vepra penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit./REL