Policia e Kosovës, ka zhvilluar planin operativ “Ditët e veprimit të përbashkët “JAD SEE 2024 ”, i cili ka rrjedhur si planifikim dhe aktivitet i EMPACT-it, në të cilin përveç Kosovës, kanë marrë pjesë edhe shumë shtete tjera, në identifikimin dhe trajtimin e veprave penale dhe dukurive negative.
Bazuar në planin e përgatitur, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, DHTNj, ka ndërmarrë operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikimin e fëmijëve si viktima të mundshme të trafikimit, operacione me inspektorë të MINT, ATK-së dhe inspektorë të punës në kontrollimin e lokaleve dhe një plan taktik lidhur me eskorta.
21 persona të dyshuar janë arrestuar, ndërsa janë iniciuar edhe 10 raste ‘marrje me prostitucion’ të identifikuara si eskorta.
“Gjatë planit operativ kanë qenë të angazhuar edhe njësi tjera mbështetëse të Policisë së Kosovës si dhe i tërë plani është realizuar në bashkëpunim me inspektorë nga MINT, inspektorë të ATK-së, inspektorë nga Inspektorati Qendror i Punës dhe inspektorë komunalë dhe ky bashkëpunim ka rezultuar me aktivitetet si në vijim:
• Inspektimi/kontrollimi i 125 lokaleve të llojeve të ndryshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
• Inicimi i 7 rasteve për veprat penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’, ku janë arrestuar 7 femra të dyshuara si dhe janë identifikuar 7 fëmijë lëmoshë kërkues.
• Gjithashtu janë iniciuar edhe 10 raste ‘marrje me prostitucion’ të identifikuara si ESKORTA, ku janë arrestuar 21 të dyshuar.
• Gjatë këtij plani janë sekuestruar gjithsej 73 dokumente nga personat e huaj, të cilët janë referuar në DMH për verifikim dhe trajtim sipas ligjit për të huaj, ku 1 person gjatë verifikimit ka rezultuar me urdhër arrest aktiv dhe i është dorëzuar stacionit përkatës për procedura të mëtutjeshme.”