Çdo votues i cili dëshiron të caktojë qendrën e tij të votimit sa më afër vendbanimit të tij, do të mund ta bëjë këtë me anë të telefonit. Mundësia për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës ofrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes platformës elektronike http://qv.kqz-ks.org.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Përveç kësaj platforme, KQZ mundëson ndërrimin e Qendrës së Votimit edhe duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse të votuesit.
Në një deklarim për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se afati i fundit për të bërë këto ndryshime është data 26 dhjetor 2024.
Sipas tij, pas kësaj date, kjo platformë do të vazhdojë të funksionojë për të informuar qytetarët se në cilën qendër të votimit do të mund të votojnë.
Elezi: Deri më 26 dhjetor 2024 çdo qytetar mund ta ndërrojë Qendrën e Votimit brenda komunës
“Deri më 26 dhjetor 2024, çdo qytetar me të drejtë vote, nëse dëshiron që ta ndërrojë Qendrën e Votimit brenda komunës dhe ta caktojë atë sa më afër vendbanimit të tij, mund ta bëjë përmes platformës elektronike të KQZ-së : http://qv.kqz-ks.org ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve, në komunën përkatëse të votuesit. Në platformën elektronike është e mjaftueshme që votuesi të shënojë numrin e tij të identifikimit si dhe datëlindjen, dhe menjëherë do të shfaqen të dhënat për qendrën aktuale të votimit. Nëse votuesi dëshiron që ta ndërrojë qendrën e votimit brenda komunës, duke e caktuar atë sa më afër vendbanimit të tij, mund të paraqesë kërkesën e tij në të njëjtën platformë dhe brenda një kohe të shkurtër kërkesa do të shqyrtohet nga shërbimi votuesi KQZ-së dhe do të marr përgjigje”, tha Elezi.
Ai tha se digjitalizimi i këtij operacioni zgjedhor ka ndikuar edhe në numrin e madh të kërkesave të qytetarëve për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës së tyre.
Sipas Elezit, nga 29 gusht e deri më tani, më shumë se 4 mijë votues kanë ndërruar qendrën e tyre të votimit vetëm përmes kësaj platforme elektronike, ndërkaq rreth 700 përmes ndonjërit nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.