Salla e seancave plenare e Kuvendit të Kosovës do të pres të premten deputetët e Shqipërisë të cilët do të bashkohen në mbledhjen e dy kuvendeve. Të dy vendet kanë për synim agjendën e përbashkët evropiane.
Analisti nga Shqipëria, Ben Andoni nuk ka shumë pritje nga kjo seancë, megjithatë thekson të dy shtetet mbesin të lidhura me njëra tjetrën, pavarësisht politikave ditore.
Andoni: Nuk pritet ndonjë gjë e madhe nga mbledhja e dy kuvendeve
“I vetmi vend ku ekzekutivi i Kosovës dhe ekzekutivi i Tiranës japin llogari janë parlamentet e tyre. Parlamentet, tona të Kosovës dhe të Shqipërisë janë të pafuqishme para kryeministrave, andaj në këtë rast unë takimin e shikoj si një takim të munguar, nga një anë tjetër edhe një lloj karshillëku përballë asaj që po bëjnë serbët në botën serbe që bënë mbledhjen e përbashkët të kuvendarëve të Republikës Serbe të Beogradit dhe të serbëve të Malit të Zi. Në njëfarë mënyre një mbledhje e cila duhej bërë më përpara dhe që në një far mënyre i bashkon pjesën legjislative të dy vendeve. Nuk besoj se mund të pritet ndonjë gjë e madhe, përveç asaj që ne e dimë shumë mirë që çfarëdo që të ndodhi, Kosova dhe Shqipëria janë të lidhura me njëra-tjetrën. Sa i përket atyre që publiku pret që të dyja parlamentet të jenë shumë të integruar me njëra tjetrën, të ndihmojnë njëra tjetrën, besoj që jemi akoma larg”, thotë Andoni.
Mbledhja e dy kuvendeve, sipas institucioneve në të dy anët e kufirit, vjen si nevojë e koordinimit të agjendës për realizimin e synimeve që përfshijnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkim Evropian dhe integrimet euro-atlantike të Kosovës. Gjithashtu, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Në këtë mbledhje, të pranishëm pritet të jenë edhe kryeministrat, Albin Kurti dhe Edi Rama.
Të dy qeveritë tashmë kanë të nënshkruara dhjetëra marrëveshje por takimet ndërqeveritare nuk janë duke u mbajtur.
I fundit që kishte dështuar të mbahet ishte në qershor të vitit 2023, pas mospajtimeve në mes të Kurtit dhe Ramës.