Avokati, Ardian Bajraktari, ka komentuar mosparaqitjen e së hënës të kryeministrit të Kosovës në Prokurorinë Speciale, ku ka qenë i ftuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal.
Bajraktari ka thënë se të gjithë qytetarët pavarësisht statusit apo pozitës së tyre duhet të zbatojnë obligimin për t’u paraqitur në prokurori.
Megjithatë, ai e ka vlerësuar të arsyeshme mosparaqitjen e Kurtit, pasi sipas tij dorëzimi i ftesës është bërë në një kohë relativisht të shkurtër.
“Fillimisht dua të them se obligimi për t’iu paraqitur ftesës së prokurorisë duhet të zbatohet dhe aplikohet nga të gjithë qytetarët e vendit pavarësisht statusit dhe pozitës së tyre. Mirëpo natyrisht që ligji në këtë rast kodi i procedurës penale ka përcaktuar edhe rrethana përjashtuese kur një gjë e tillë është e pamundur, dhe në bindjen time mosparaqitja e sotme ishte e arsyeshme për faktin se kemi të bëjmë me të parin e qeverisë i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe me sa kemi parë ftesa ka shkuar diku nga mesi i javës së kaluar, prandaj vlerësoj se ka qenë një kohë relativisht e shkurtër dhe siç u pa edhe arsyetimi nga zyra e kryeministrit udhëtimi ka qenë në agjendë të paracaktuar kohë më parë prandaj vlerësoj se në bindjen time janë të arsyeshme justifikimet për mungesën e paraqitjes së sotme”, ka deklaruar ai.
Tutje Bajraktari është shprehur optimist se kryeministri Kurti do të reflektojë dhe do të dakordohet që të gjendet një moment i përshtatshëm për ta kryer këtë obligim pasi sic është shprehur veprimi ndryshe ‘do të nënkuptonte mospërfillje të organeve kushtetuese’.
“Vlerësoj se do të duhej të ishte në rrethana normale një komunikim më korrekt mes zyres së Prokurorisë Speciale dhe Zyrës së Kryeministrit për tu dakorduar për kohën që kryeministri ti përgjigjet këtij obligimi si qytetar para së gjithash, për faktin se veprimi ndryshe natyrisht që do të nënkuptonte mospërfillje të organeve kushtetuese. Prandaj unë jam shumë optimist që kryeministri do të reflektojë dhe do të dakordohen që ta gjejnë një moment të përshtatshëm që ky obligim të kryhet në pajtim me përgjegjësitë ligjore që kanë të dyja institucionet”, ka shtuar avokati Bajraktari.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale ku ka qenë i ftuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se janë njoftuar nga kabineti qeveritar se kryeministri Kurti është jashtë Kosovës dhe e ka të pamundur t’i përgjigjet sot thirrjes.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri vizitën jashtë vendit e ka pasur në agjende dhe të konfirmuar më herët mirëpo ka shtuar se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i presë në zyrë prokurorët e rastit.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka deklaruar Kryeziu.
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka arsyetuar mungesën e kryeministrit Albin Kurti dhe ndaj tij nuk do të pasojë gjobë pasi që mos-paraqitja e tij u tha se u bë për shkak se ai ishte në një udhëtim jashtë vendit – të planifikuar më herët.