Kryeministri i vendit, Albin Kurti, siç duket e ka kryer detyrimin e tij për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale, ku është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për skandalin me rezervat shtetërore.
Kjo është bërë e ditur nga avokati Besnik Berisha, i cili përmes një postimi në Facebook, tha se Kurti para rreth gjysmë orë është larguar nga objekti i Prokurorisë Speciale.
“Çka nese u them se kryeministri Kurti sapo e kreu intervistën në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, a ma besoni a jo 🙂?!
Nejse, mos i ngjitni fjalë djalit se me sytë e mi e pash😉. Institucionalit se ç’ke me të!” – ka shkruar Berisha.
Gazeta ka kontaktuar zëdhënësen e Prokurorisë, prokurorin e rastit, kryeprokurorin, si dhe zëdhënësin e Qeverisë për të marrë një konfirmim zyrtar, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në thirrjet e redaksisë.
Ndryshe, Kurti nuk është paraqitur në mëngjes, siç ishte paraparë në ftesën e Prokurorisë Speciale.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.