“Prokurorët në zyre”, Bytyçi reagon: Heshtën kur Thaçi e Veseli…

Aktuale

“Prokurorët në zyre”, Bytyçi reagon: Heshtën kur Thaçi e Veseli…

Nga: N.E Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 20:28
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ftesa e Prokurorisë Speciale për kryeministrin e Kosovës për t’u intervistuar si dëshmitar në një rast penal të cilin e ka nën hetim Prokuroria ka sjellë reagime të shumta.

Kryeministri i Kosovës nuk është paraqitur gjatë ditës së sotme kësaj ftese, ndërsa për këtë ka folur zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai ka thënë se prokurorët specialë janë njoftuar për vizitën jashtë vendit të kryeministrit të hënën, arsye pse ai nuk arriti të paraqitej për intervistim në Prokurorinë Speciale.

Megjithatë, Kryeziu u shpreh se Kurti është i gatshëm t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij, “në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët”.

“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka thënë Kryeziu.

Një deklarim i tillë ka sjellë reagime përsëri, madje nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se kjo është një luftë speciale e Qeverisë karshi sistemit të drejtësisë.

“Fatkeqësisht kryeministri i Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm me këtë aktin e fundit, ka demonstruar shpërfillje për institucionet e pavarura, qofshin ato të drejtësisë, qofshin mediat, qofshin sindikata, qoftë sektori privat e kështu me radhë. Kjo është një luftë speciale e Qeverisë kundër institucioneve të pavarura dhe kundër sistemit të drejtësisë në Kosovë, dhe është për keqardhje”, u shpreh ajo.

Një reagim për ‘kërkesën’ e kryeministrit Kurti ka bërë edhe doktori dhe profesori Enver Bytyçi.

Ai thotë se juristët që sot kërkojnë që Kurti të shkojë për të dëshmuar në prokurori, heshtën në rastin e Thaçit e Veselit.

Ai tutje, ka shtuar se moral selektimi, jo parimor.

“Juristët që sot kërkojnë që Kurti të shkojë për të dëshmuar në prokurori, heshtën në rastin e Thaçit e Veselit, të cilët i thirrën prokurorët në zyrë për dëshmi të caktuara! Moral selektimi, jo parimor!”, ka shkruar Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat