Komandanti i KFOR-it Gjeneral Major Enrico Barduani, ka takuar sot zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anushiç, në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Në njoftimin e KFOR-it theksohet se ata diskutuan për përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar në funksion të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal.
“Gjeneral Major Barduani shprehu mirënjohje për kontributin e gjatë dhe të qëndrueshëm të Kroacisë në misionin e KFOR-it dhe në ruajtjen e stabilitetit në rajon”.
“Ndërkohë, Zëvendëskryeministri Anushiç vizitoi kontigjentin kroat të vendosur në komandën rajonale perëndimore të KFOR-it, duke i falënderuar ata për angazhimin dhe kontributin e çmuar në përpjekjet e KFOR-it”, thuhet në njoftim.
KFOR-i rithekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar për një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe duke garantuar lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme.