Kryeministri Albin Kurti sot mori pjesë në edicionin e katërt të "Let’s Talk 2024", organizuar nga "Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve", ngjarje që shërben si një platformë ku figura të shquara ndajnë histori, ide dhe përvoja për të adresuar sfidat sociale dhe për të promovuar ndryshime pozitive në komunitete dhe më gjerë.
Për bashkëbisedimin, kryeministri Kurti, tha është mënyra më e mirë për të sfiduar vetën, përveç se për të mësuar gjëra të reja, dhe për të krijuar lidhje mes njerëzve. Madje, sipas tij, sot interneti ka mundësuar që nga shtëpitë të hymë në bashkëbisedime dhe në lidhje me një varg idesh e zërash global.
“Tani me lidhjen e internetit, brezgjerë e në çdo fshat e qytet të Kosovës, qytetarët e Kosovës mund të flasin lehtë brenda një mbrëmje me më shumë ideatorë e vizionarë, shkencëtarë, filozofë, aktivistë, ndërmarrës dhe krijues sesa mund të jenë grumbulluar ndonjëherë në salloniere gjatë jetës së saj në Paris të shekullit XVIII”, citohet Kurti në komunikatën e Kryeministrisë.
Në anën tjetër, përveç mundësive të shumta që platformat online kanë krijuar, ai nënvizoi edhe sfidat e reja.
“Kanë krijuar edhe dhoma të jehonës – ose echo chambers – ku dëgjojmë vetëm ato zëra që pajtohen me njëri-tjetrin. Shpeshherë kanë krijuar polarizim, margjinalizim, hapësirë më të madhe për gjuhën e urrejtjes, e madje edhe keqkuptime e paragjykime”, tha kryeministri duke theksuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejt dhe të hapur.
"Let's Talk 2024" është ngjarje unike që synon të krijojë një hapësirë kuptimplotë për dialog, frymëzim dhe veprim.