Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në edicionin e katërt të “Let’s Talk 2024”, organizuar nga “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”.
“Ky event shërben si një platformë ku figura të shquara ndajnë histori, ide dhe përvoja për të adresuar sfidat sociale dhe për të promovuar ndryshime pozitive në komunitete dhe më gjerë”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se për bashkëbisedimin, kryeministri Kurti, tha është mënyra më e mirë për të sfiduar vetën, përveç se për të mësuar gjëra të reja, dhe për të krijuar lidhje mes njerëzve. Madje, sot interneti ka mundësuar që nga shtëpitë tona të hymë në bashkëbisedime dhe në lidhje me një varg idesh e zërash global.
“Tani me lidhjen e internetit, brezgjerë e në çdo fshat e qytet të Kosovës, qytetarët e Kosovës mund të flasin lehtë brenda një mbrëmje me më shumë ideatorë e vizionarë, shkencëtarë, filozofë, aktivistë, ndërmarrës dhe krijues sesa mund të jenë grumbulluar ndonjëherë në salloniere gjatë jetës së saj në Paris të shekullit XVIII”, shprehu kryeministri.
Në anën tjetër, përveç mundësive të shumta që platformat online kanë krijuar, ai nënvizoi edhe sfidat e reja.
“Kanë krijuar edhe dhoma të jehonës – ose echo chambers – ku dëgjojmë vetëm ato zëra që pajtohen me njëri-tjetrin. Shpeshherë kanë krijuar polarizim, margjinalizim, hapësirë më të madhe për gjuhën e urrejtjes, e madje edhe keqkuptime e paragjykime”, tha kryeministri duke theksuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejt dhe të hapur.
Duke kujtuar pjesëmarrjen në edicionin e kaluar të “Let’s Talk”, kryeministri Kurti u shpreh se sa më shumë që ndajmë me njëri-tjetrin, aq më të fortë do të jemi si shoqëri. Secili person, secili komunitet dhe secili shtet ka nevojë dhe ka të drejtë për të ndarë e për të festuar lidhjet që krijojnë e ndërtojnë e zhvillojnë identitetin, tha ai.
““Let’s Talk 2024″ është ngjarje unike që synon të krijojë një hapësirë kuptimplotë për dialog, frymëzim dhe veprim.