Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në mbledhjen e 12-të të rregullt për këtë vit, më 16 dhjetor, miratoi Rregulloren për obligimet e shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore.
KPM ka hartuar këtë Rregullore me mbështetjen e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kjo Rregullore synon implementimin e Kapitullit VIII “Mediat gjatë fushatës së zgjedhjeve”, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që përcakton obligimet e medieve ndaj subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.
Përmes dispozitave të kësaj Rregulloreje, mes tjerash përcaktohet edhe qasja e drejtë dhe e paanshme nga mediet gjatë fushatës së zgjedhjeve.
Ndërkaq, mediet të cilat vendosin të organizojnë programin e tyre gjatë fushatës zgjedhore, duhet të deklarohen tek KPM nëse do të mbulojnë fushatën jo më larg se shtatë ditë kalendarike, para fillimit të fushatës zgjedhore.
Orari dhe kohëzgjatja e pikave reklamuese politike
Si forma të përfaqësimit në medie gjatë fushatës zgjedhore përcaktohen të jenë lajmet, intervistat, debatet, paraqitjet e lira politike, konventat dhe tubimet e subjekteve të certifikuara politike, hapja dhe mbyllja e fushatave nga subjektet politike, si dhe reklamimet politike me apo pa pagesë.
Rregullorja përcakton edhe orarin për aktivitetet e fushatës zgjedhore, nga ora 12:00 deri në ora 00:00.
Ndërkaq, kjo Rregullore ndalon emetimin e pikave reklamuese politike në kuadër të programeve informative.
Sa i përket pikave reklamuese politike, ato përkufizohen si një mesazh apo prezantim i shkurtër dhe i fokusuar që krijohet dhe transmetohet për të promovuar kandidatë, subjekte politike ose platforma të tyre gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, e cila synon të ndikojë në opinionin publik dhe të nxisë mbështetje për subjektin politik që e transmeton.
Rregullorja përcakton edhe kohëzgjatjen e këtyre pikave reklamuese, e cila nuk mund të jetë më e gjatë se 120 sekonda.
Reklamimi me pagesë dhe pa pagesë
Me këtë Rregullore rregullohet edhe çështja e ndarjes së minutave për reklamimin politik me dhe pa pagesë.
Mediet të cilat vendosin që të transmetojnë reklamim politik me pagesë, kërkohet që të ofrojnë edhe një sasi minimale minutash të kohës për emetim pa pagesë secilit subjekt politik të certifikuar.
Sasia minimale e minutave të kohës së emetimit pa pagesë për Transmetuesin Televiziv të Shërbimit Publik është 40 minuta. Për transmetuesit televiziv privat që transmetojnë në tërë Kosovën është 20 minuta, kurse për stacionet tjera televizive është 15 minuta.
Sa i përket radiove, sasia minimale e minutave të kohës së emetimit është 30 minuta për dy radiot publike, 15 minuta për secilin radio-stacion që transmeton në tërë Kosovën, si dhe 10 minuta për të gjitha radio-stacionet tjera.
Kjo formë e emetimit, sipas vlerësimit të transmetuesve individualë dhe pajtimit me subjektet politike të certifikuara, mund të sigurohet si pika reklamuese politike pa pagesë, pjesëmarrje në debate, programe diskutimi, ose intervista jashtë programeve të rregullta informative të parapara.
Në lidhje me reklamimin politik me pagesë, Rregullorja ndër të tjera përcakton se listat e çmimeve publikohen një javë para fillimit të fushatës.
Këto lista parashihet të publikohen në ofertat që u bëhen subjekteve politike dhe në ueb-faqen e medieve.
Ndërsa, koha e emetimit të reklamimit politik mund të konsumohet në formë të pikave reklamuese dhe materialeve të sponsorizuara.
Rregullorja përcakton se hapësira kohore që transmetuesit mund t’ia shesin të gjitha subjekteve politike për reklamim politik është 6 orë brenda orarit 12:00 – 00:00. Kjo hapësirë duhet t’iu ofrohet në mënyrë të barabartë të gjitha subjekteve të certifikuara.
Ndërkaq, kufiri sasior i kohës së emetimit politik për një subjekt të certifikuar politik brenda një dite është 90 minuta.
Po ashtu, parashihet edhe që koha e ofruar për emetim politik për të gjitha subjektet politike të certifikuara duhet të jetë e barabartë dhe e balancuar për kohën prime dhe kohë të tjera.
Çmimi i reklamimit me pagesë
Përveç elementeve të lartpërmendura, kjo Rregullore përmban edhe dispozita që lidhen me çmimin e reklamimit me pagesë.
Kështu, Rregullorja përcakton se çmimi për një sekondë për pika reklamuese nuk është më i lartë sesa shkalla më e ulët e ngarkuar për atë kohë dhe ditë të javës gjatë gjashtë muajve të fundit.
Gjithashtu, mediet obligohen të mbajnë ditarë të veçantë ditor për qasjet e siguruara pa pagesë dhe kohët për reklamim që i janë shitur çdo subjekti politik të certifikuar.
Emisionet dhe debatet politike
Po ashtu, Rregullorja parasheh obligime të medieve edhe në lidhje me emisionet dhe debatet politike.
Mes tjerash, përcaktohet se gjatë emisioneve apo debateve politike, udhëheqësit e emisioneve do të ndajnë dhe mundësojnë kohën e barabartë për secilin subjekt politik, duke e ndarë në minuta të barabartë për secilin subjekt politik për t’i shprehur dhe mbrojtur qëndrimet e tyre politike.
Ndërsa, për rastet kur në debate ka përfaqësues të disa partive politike, mediet duhet të ndajnë kohën e barabartë të minutazhës sipas subjektit të certifikuar politik.
Kurse, koha dhe orari i ndarë për kandidatët e subjekteve politike, llogaritet kohë e ndarë për subjektin e certifikuar politik.
Hulumtimet, sondazhet dhe anketat
Gjithashtu, Rregullorja përmban dispozita që rregullojnë edhe çështjet e sondazheve. Kështu, organizimi dhe publikimi i sondazheve apo anketave online, në programet e mediave gjatë fushatës zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve është i ndaluar.
Ndërkaq, përcaktohen edhe kritere për mediat që publikojnë hulumtime dhe anketa gjatë fushatës zgjedhore dhe që kanë të bëjnë me zgjedhjet.
Në këto raste, mediet obligohen që të tregojnë numrin e respondentëve që kanë marrë pjesë në hulumtim, metodologjinë e hulumtimit apo anketës, si dhe emrin e kompanisë realizuese.
Përveç këtyre, ato duhet të tregojnë edhe emrin e partisë apo organizatës që ka kërkuar apo financuar për hulumtimin apo anketën, si dhe margjinën e gabimit.
Kurse, përgjatë periudhës që fillon 24 orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor, asnjë medie nuk transmeton asnjë publikim ose transmetim të rezultateve të hulumtimit të opinionit publik që ka të bëjë me fushatën e zgjedhjeve, duke përshirë daljen në votime.
Dita e zgjedhjeve
Në ditën e zgjedhjeve, Rregullorja ndalon që mediet të transmetojnë ose publikojnë çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës, gjatë periudhës që fillon me hapjen e vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të tyre.
Mediet mund të vazhdojnë të raportojnë lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, numrin e pjesëmarrësve në zgjedhje, njoftimet zyrtare nga KQZ apo institucionet tjera relevante, problemet e mundshme apo sjelljet e partive politike, apo lidhur me parregullsi eventuale në lidhje me procesin zgjedhor.
Mirëpo, mediet nuk transmetojnë prononcimet e kandidatëve nga listat për deputetë apo asamblistë, me përjashtim të liderëve të partive politike dhe kandidatëve për kryeministër, apo kryetar të komunës.
Çështje tjera
Çështje tjera që parashihen përmes kësaj Rregulloreje janë edhe parandalimi i konfliktit të interesit, monitorimi i ditarëve nga KPM, monitorimi i zbatimit të Rregullores, trajtimi i ankesave nga ana e KPM-së, si dhe publikimi i raportit përfundimtar nga KPM.
Përcaktimi i obligimeve të medieve gjatë fushatës zgjedhore të paraqitura në këtë artikull, është i bazuar në draftin e fundit të Rregullores, të miratuar nga ana e KPM në mbledhjen e 12-të, më 16 dhjetor 2024.