Deputetja nga radhët e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë Kurti. Bajrami ka thënë se kjo qeveri ka shpenzuar 12 miliardë euro për katër vjet qeverisje, por pa ndonjë rezultat.
Bajrami ka rikujtuar premtimet e partisë në pushtet për lirimin e bukës, vajit, qumështit e produkteve tjera bazë, si dhe uljen e çmimit të energjisë, teksa ka pyetur se çfarë ka ndodhur me to.
Ka përmendur edhe premtimet për çerdhet, banesat për të rinjtë, shtëpitë për të moshuarit, sigurimet shëndetësore etj.
“Gjatë katër viteve mandat qeverisës të LVV-së ka ndodhë e kundërta e asaj çka është premtu, fiks e kundërta: çerdhet nuk janë ndërtu, as shtepitë për të moshuarit, as 4000 mijë banesat për qiftet e reja, çmimi i rrymës është dyfishu, janë dyfishu çmimet e artikujve ushqimor, deri me sot nuk është përfundu asnjë projekt i madh infrastrukuror, as ato që në fillim të mandatit të tyre kanë qënë në gjysmë, ka ikje masive të fuqisë puntore, është shkelë Kushtetuta mbi dhjetë herë, ndërsa arsimi po rrënohet, nuk ka integrime euroatlantike, kem i hyrë në vitin e dytë nën sanksione të Bashkësisë Evropiane, asnjë njohje, asnjë antarësim, ka korrupcion dhe nepotizëm në secilin institucion”, ka shkruar Bajrami.
Tutje, Bajrami ka thënë se “porositja e sondazheve është i vetmi ”rezultat” që qeveria mund ta ketë”.
“Qytetarët nuk harrojnë 4 vitet e humbura, nuk i gënjeni dot me sondazhe. Edhe njëherë po e përseris se sondazhet e porositura edhe mund të ju nxjerrin ”fitues”, por qytetarët e vendit e kanë jetuar të vërtetën, atë nuk e ndryshon asnjë sondazh”, ka shkruar Bajrami.