Kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s pritet të prodhojë fabrika e municionit e cila pritet të bëhet për herë të parë në Kosovë. Marrëveshja me prodhuesin është nënshkruar të hënën dhe kjo po konsiderohet hap i rëndësishëm për forcimin e ushtrisë.
Gurakuq Kuçi, hulumtues në Institutin “Octopus” thotë për KP se shteti nuk është në garë armatimi me askënd veçse po e forcon ushtrinë në pajtim me praktikat më të mira të NATO-s.
Kuçi: Kosova nuk është duke bërë garë armatimi me askënd
“Po ashtu Kosova nuk është duke bërë asnjë lloj gare armatimi me askënd përveç forcimit të një ushtrie e cila është e nevojshme për secilin shtet në botë, andaj në kuadër të kësaj edhe Kosova është duke ndërmarrë hapat e caktuar siç është tani çështja e prodhimit të dronëve ushtarakë, sepse kur jemi në një periudhë të zhvillimit të teknologjisë, ne çdo herë e më shumë kemi nevojë që kufijtë e Kosovës, por edhe të secilit shtet, dhe i gjithë territori i saj, të kontrollohet nëpërmjet dronëve, përderisa vendet si Serbia fqinje dhe vendet që janë aleate me Serbinë që janë më larg kufirit të Kosovës bëjnë veprime të tilla agresore, do bëjnë furnizime ushtarake me qëllime agresore, Kosova nuk ka shprehur asnjëherë qëllime të tilla por vetëm ka pasur pjesëmarrje për çështje të sigurisë globale”, thotë ai.
Për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, marrëveshja u nënshkrua të hënën me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi".
“Krahas makinerisë prodhuese, në kontratën e nënshkruar sot, parashihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim”, njoftoi Qeveria e Kosovës.
Sipas ekzekutivit, pas funksionalizimit, fabrika do të operojë si ndërmarrje publike dhe si “markë 100% vendore e Republikës së Kosovës”.
"Ne kemi bërë ushtrime bashkë me ushtrinë e Turqisë, kemi blerë pajisje, municione dhe armatime që prodhon Turqia, e tash është koha që edhe të prodhojmë bashkë në vendin tonë", tha Kurti më 16 dhjetor.