Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka lansuar sot platformën elektronike përmes së cilës punëtorët dhe punëdhënësit mund të trajnohen në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Në njoftimin e Ministrisë në Facebook thuhet se përmes kësaj platforme punëdhënësit do të mësojnë të identifikojnë, të vlerësojnë rreziqet në kompanitë me rrezik të ulët si dhe të hartojnë dokumentin për vlerësimin e rrezikut. Për më tepër, ata do të trajnohen për të reaguar në situata emergjente si zjarri, puna në lartësi, dhe rreziqe të tjera që mund të kërcënojnë sigurinë e punëtorëve.
Njëherësh, punëtorët do të trajnohen për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e tyre në raste rreziku, duke përfshirë edhe sigurinë e personave përreth.
Këto trajnime, të mundësuara me mbështetje nga Organizata Ndërkombëtare e Punës në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës, janë aktualisht në fazën e pilotimit. Pas përfundimit të suksesshëm të moduleve, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë, e cila mund të përdoret nga punëdhënësit për plotësimin e dosjeve të tyre të sigurisë.