Kosova e Serbia bien dakord për zbatim të marrëveshjes për të pagjeturit, publikohet edhe përmbajtja e saj

Aktuale

Kosova e Serbia bien dakord për zbatim të marrëveshjes për të pagjeturit, publikohet edhe përmbajtja e saj

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 16:03 Përditësuar në ora: 19:02 më 17.12.2024
Pamje nga takimi

Bislimi jep detaje për arritjen e marrëveshjes për të pagjeturit

Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimit trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi,  tha se ka pajtim për zbatim të plotë të deklaratës për personat e zhdukur.

“Jemi marrë vesh që të pranohet versioni i dhjetorit i termave të referencës së komisionit të përbashkët, kur Serbia kishte paraqitur pengesat dhe si duket i ka tërhequr ato, prandaj mendoj se tani mund të ecim tutje ku gjatë muajit të ardhshëm do të mbahet mbledhja e parë e këtij komisioni të përbashkët”, tha ai.

Sipas tij, ka premtime nga ana e Serbisë se nuk do të ketë tendenca për pengimin e punës së këtij komisioni përmes makinerive që ata dinë t’i zbatojnë.

Bislimi tha se Lajçak ka dënuar sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit dhe po ashtu ka treguar që BE është e gatshme të ndihmojë në hetimin e plotë të këtij rasti.

Ai tha se në takimin bilateral janë trajtuar edhe tema të ndryshme si ajo e IBM.

Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të plotë të deklaratës për personat e zhdukur

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të dyja vendeve ne të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel të martën.

Shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, e konfirmuan këtë pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

“Tani mund të ecim tutje që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen puna e këtij komisioni të pengohet”, tha Bislimi.

Petkoviq tha se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur dhe se tani është hequr edhe pengesa e fundit sa i përket zbatimit të deklaratës për personat e zhdukur.

“Kemi deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, tha ai.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Por, deri tani asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.

Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, Lajçak u ka raportuar ndërkohë përfaqësuesve të vendeve anëtare për gjendjen me dialogun dhe ka thënë se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë dhe vullnetit për të bërë ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.Mandati i të dërguarit të Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajçak, i vazhduar disa herë, do të përfundojë në fund të muajit janar të vitit që vjen.

Ndërkohë pritet që Kaja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë pozitë dhe kush do të jetë ai.

Bashkimi Evropian do të përsërisë sot thirrjen për Kosovën dhe për Serbinë që "pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin për zbatimin e saj, sikur edhe të gjitha obligimet tjera që kanë dalë nga procesi i dialogut".

Për Kosovën do të përsëritet thirrja që pa vonesa të nisë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë të nisë procesin për njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.Kosovës dhe Serbisë do t'iu përsëritet sërish se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve do të vazhdojë të jetë kusht edhe për rrugëtimin e tyre në procesin e integrimit në BE.

Këto thirrje pritet të jenë në konkluzionet për zgjerim që do të miratohen të martën në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së.

Arrihet dakordim për zbatim të marrëveshjes për të pagjeturit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se pas tre vitesh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

"Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tonë.

Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur.

Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse.

Shpresojmë që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat për shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën"., thuhet në njoftimin e komisionit

Takimi trepalësh në Bruksel, arrihet marrëveshja për të pagjeturit

Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimit trepalësh në Bruksel ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për të pagjeturit.

Lajmi në përditësim e sipër.

--------------

Një takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian është duk u zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut, të cilin e lehtëson blloku.

Sikur edhe herëve të mëparshme, së pari u zhvilluan takimet dypalëshe të përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me shefin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Takimi i përbashkët trepalësh mes tyre filloi pas orës 15:00.

Sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, në këto takime do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, Lajçak u ka raportuar ndërkohë përfaqësuesve të vendeve anëtare për gjendjen me dialogun dhe ka thënë se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë dhe vullnetit për të bërë ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.

Mandati i të dërguarit të Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajçak, i vazhduar disa herë, do të përfundojë në fund të muajit janar të vitit që vjen.

Ndërkohë pritet që Kaja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë pozitë dhe kush do të jetë ai.

Bashkimi Evropian do të përsërisë sot thirrjen për Kosovën dhe për Serbinë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin për zbatimin e saj, sikur edhe të gjitha obligimet tjera që kanë dalë nga procesi i dialogut”.

Për Kosovën do të përsëritet thirrja që pa vonesa të nisë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë të nisë procesin për njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.

Kosovës dhe Serbisë do t’iu përsëritet sërish se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve do të vazhdojë të jetë kusht edhe për rrugëtimin e tyre në procesin e integrimit në BE.

Këto thirrje pritet të jenë në konkluzionet për zgjerim që do të miratohen të martën në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat