Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues prej 20 vjet burgim ndaj të akuzuarit D. T., për vrasjen e një personi para një viti në Gjilan.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se më 16 dhjetor 2023, rreth orës 20:35 minuta, në fshatin Dobërçan Komuna e Gjilanit, i akuzuari D. T., me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B., në atë mënyrë që fillimisht i akuzuari përmes telefonit e thërret A.B i cili me automjetin e markës Golf IV, vjen te rruga ku ishte duke e pritur i akuzuari, i cili hyp në karrigen e parë të automjetit dhe me automjet kishin lëvizur deri afër ordinancës private “Dr. A.”.
“Aty pas një mosmarrëveshje verbale në automjet, i akuzuari e sulmon me thikë të ndjerin A. njëherë në trup, ndërsa viktima arrin ta ndal automjetin dhe të del nga automjeti duke ikur për t’iu shmangur të akuzuarit, hynë në oborrin e shtëpisë së Xh. B., ashtu që i akuzuari i vihet pas një ndjekje dhe në terasë para derës së hyrjes së kësaj shtëpie, përsëri e godet edhe gjashtë herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa nga kacafytja dhe zhurma e krijuar, nga kjo shtëpi del Xh. B., intervenon për të i ndarë, e kap për trupi të pandehurin dhe e largon nga vendi i ngjarjes, ndërsa tani të ndjerin A. e dërgon në ordinancen private “Dr. A.” aty nga doktori i jepet ndihma e parë mjekësore dhe njëkohësisht mjeku e thërret ndihmën e shpejtë, ndërsa për shkak të lëndimeve të pësuara, tani të ndjerin e hypin në një automjet tjetër deri te rruga e Përplenicës, aty takohen dhe e dorëzojnë A. në automjetin e ndihmës së shpejtë dhe të njëjtën e transportojnë në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilani, ku tani i ndjeri A. për shkak të lëndimeve të pësuara nuk ka mundur të mbijetojë dhe në hyrje të spitalit i njëjti ndërron jetë, ku edhe konstatohet vdekja”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Më tej thuhet se me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale; vrasje nga neni 172 e Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Trupi gjykues në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka shqiptuar dënim ndaj të akuzuarit D. T. në kohëzgjatje prej njëzet (20) vjet burgim. Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar”, thuhet në njoftim.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.