Orav: Synimi ynë është ta afrojmë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian

Aktuale

Orav: Synimi ynë është ta afrojmë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 17:17
Aivo Orav

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav tha se shumë projekte janë në plan të zhvillohen në vendin tonë, derisa theksoi se synimi i tyre është që sa më shpejtë ta afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Këtë e bëri të ditur pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Ndërkaq, Rama tha se kryeqyteti ka bërë hapa për t’i përmbushur të gjitha detyrat e dhëna nga komuniteti evropian si kryeqytet.

Në një prononcim për media, ambasadori Orav, potencoi se përveç me qeverinë, BE-ja po bashkëpunon me të gjitha komunat në Kosovë dhe sipas tij, BE-ja është donatori më i madh këtu në Kosovë.

Orav: Synimi ynë është ta afrojmë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian

“Ishte e mirëpritur të bisedoja me Kryetarin e Komunës dhe gjithashtu me ekipin e tij, për të mësuar më shumë rreth Prishtinës, rreth problemeve, rreth sfidave dhe për të mësuar gjithashtu se si BE-ja dhe komuna mund të punojnë më ngushtë së bashku. Sepse synimi është ta afrojmë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur, dhe nuk është vetëm qeveria me të cilën po punojmë, por po punojmë edhe me të gjitha komunat. BE-ja është donatori më i madh këtu në Kosovë. Ka shumë projekte të BE-së që janë duke u zhvilluar. Ka shumë projekte edhe në plan. Dhe shpresoj shumë që të mund të vazhdojmë punën tonë në fusha si arsimi, shëndetësia, menaxhimi i mbetjeve, bashkëpunimi me të rinjtë, me ndihmën e BE-së”, ka thënë ai.

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se bashkë me ambasadorin Orav diskruan rreth sfidave që ka Prishtina dhe mundësive për bashkëpunim dhe investime.

Ai tha se kanë bërë hapa për t’i përmbushur të gjitha detyrat të cilat dalin prej komunitetit evropian.

Rama: Ne kemi bërë hapa për t’i përmbushur të gjitha detyrat të cilat na jepen prej komunitetit evropian

“Diskutuam mbi sfidat që i kemi si kryeqytet dhe mundësitë për bashkëpunim sidomos në investimet, tash në muzeun, sallën koncertale, mënyrat se si mund t’i tejkalojmë problemet e tanishme, në mënyrë që të krijojmë hapësira të mirëfillta edhe për komunitetin e artit, kulturës, arsim, shëndetësi dhe për sfera të ndryshme në kryeqytet…Ne kemi bërë hapa për t’i përmbushur të gjitha detyrat të cilat na jepen prej komunitetit evropian si kryeqytet, t’i përmbushmi ndoshta edhe para kohe sepse kemi mundësi…Vendosëm që të bashkëbisedojmë edhe për çështje të tjera sido që na vijnë sepse edhe jemi shumë afër, jemi në një distancë shumë të vogël. Vendosëm t’i bëjmë bisedat rreth zhvillimeve të ardhshme në kryeqytet dhe në vendin tonë”, tha Rama.

Pas takimit, ambasadori Orav i shoqëruar nga kryetari Rama vizituan një pjesë të objektit të komunës, Sahat Kullën e Kryeqytetit dhe një pjesë të vendndodhjes së biçikletave nga komuna.

Përveç këtyre, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav vizitoi edhe hapësirat e “TechPark” në Bërnicë të poshtme. Aty bashkë me drejtoreshën e STIKK-ut, Vjollca Çavolli, i takuan startup-et të përkrahura nga Bashkimi Evropian dhe shkëmbyen ide rreth zhvillimit të këtij sektori në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat