Së shpejti Kosova do të bëhet me një fabrikë të prodhimit të municionit. Por ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka përjashtuar mundësinë që kjo fabrikë të ndërtohet në Skenderaj aty edhe ku ndodhej fabrika e prodhimit të municionit. Një ish punëtor i kësaj fabrike foli për Tëvë1 duke treguar kapacitetin që kishte kjo fabrikë. Ai pati edhe një propozim për institucionet, para se të nis ndërtimi i fabrikës.
Edhe pse ka kaluar gati gjysmë shekulli, gëzhojat e plumbit që u prodhuan, ende kanë mbetur në tokë.
Në këtë objekt, në vitin 1977 kishte filluar prodhimin, Fabrika e Municionit në Prekaz të Skenderajt.
Por prej përfundimit të luftës, ka mbetur e rrënuar.
E vendi ku ndodhet i është dhënë kompleksit memorial ”Adem Jashari”.
Ish-punonjësi i kësaj fabrike, Haxhi Qerimi tregon për kapacitetin që punohej 47 vjet më parë.
“Puna e rëndë nuk ka qenë aspak sepse makinat kanë punuar në mënyrë elektronike, i kemi pas marrë në Belgjikë të firmës.. Puna nuk ka qenë e rëndë, kapaciteti ka qenë 74 copa në minutë që i bie për një orë 4440 copa. Vetëm për 5 orë i bie 2200 copa”, ka deklaruar ai.
Një fabrikë e tillë e municioneve, do të ndërtohet në Kosovë nga prodhuesi turk shtetërore i industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) me të cilin Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje të hënën.
Municionet do të prodhohen sipas standardeve të NATO-s.
E para se të nis puna për ndërtimin e saj, ish punëtori, ka një propozim.
Por Ministri i Mbrojtës, Ejup Maqedonci në emisionin “InfoNata” ka përjashtuar mundësinë që fabrika për prodhimin e municionit, të ndërtohet në Skenderaj.
“Është diskutu mjaft kjo çështje e ish-fabrikës së municionit para viteve 90-ta në Skenderaj. aktualisht është një projekt në rend rreth kompleksit të jasharajve dhe fabrika është në kuadër të këtij kompleksi, pra është e destinuar për diçka tjetër atje. prandaj edhe ne vlerësojmë që nuk duhet të pengojmë një projekt të tillë që është po aq i rëndësishëm…dhe jemi duke e analizuar çështjen e lokacionit”.
Se puna do të nis së shpejti për hapjen e fabrikës, e tha edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Republika e Kosovës do të ndërrojë kapacitetet për të prodhuar municionet e nevojshme për ushtrinë, por edhe për Policinë e Kosovës, besoj se duke parë kontratën shumë shpejt do të fillojnë punimet dhe në afatin rekord brenda kërkesave teknike kjo do të realizohet. Me përfundimin e saj një mangësi që e kemi pasur ne dhe ka qenë evidente do të tejkalohet qoftë në kuptimin e furnizimit të nevojave aktuale, qoftë në plotësimin e rezervave të nevojshme, po ashtu edhe në trajtimet shtesë të cilat janë të nevojshme për të gjitha institucione që përdorin këtë lloj të municione”, ka deklaruar ministri.
Pas funksionalizimit, Fabrika do të operojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore e Republikës së Kosovës.