Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së martës është dëgjuar eksperti i psikiatrisë, Jeton Zogaj, në lidhje me rastin ku F.G., akuzohet se në bashkëkryerje me të tjerë kanë kryer veprën penale vrasja e Ibush Kllokoqit në 1999-ën, për të cilin rast tashmë janë dënuar të akuzuarit Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Shpresim Uka dhe Bekim Syla.
Për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit F.G, gjykimi ndaj tij ishte veçuar në 2015-ën.
Eksperti Zogaj, ka deklaruar se si ekip vlerësuese, duke u bazuar në të dhënat që i kanë pasur konstatojnë se tek i akuzuari akuzuarin F.G, ekzistojnë çrregullime mendore.
Ai tha se këto probleme ia pamundësojnë të akuzuarit përcjelljen e shqyrtimit gjyqësor, pasi i njëjti nuk është në gjendje ta kuptojë shqyrtimin dhe as të konsultohet me mbrojtësin e tij dhe po ashtu deklarimet e tij të dhëna nuk janë valide si rezultat i gjendjes së tij.
Në lidhje me këtë, trupi gjykues, në raport me konstatimet e ekspertit psikiatrik, shkresat e lëndës dhe faktet e provat e administruara deri më tani ka gjetur se i akuzuari nuk është i aftë t’i nënshtrohet gjykimit në këtë çështje për shkak të gjendjes së tij psikike, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i këtij trupi, gjyqtari Vesel Ismajli ka bërë me dije se trupi gjykues do të marrë vendim mbi paaftësinë për t’iu nënshtruar gjykimit dhe të njëjtin do ta marrë në formë të shkruar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të 29 korrikut 2011, më 9 gusht 1999, i akuzuari F.G, në bashkëkryerje me tani të dënuarit Sadik Abazi, Shpresim Uka dhe Bekim Syla, në bashkëkryerje me Nazim Bllacën (të deklaruar dëshmitarë bashkëpunues nga ish Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 4 mars 2011) kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë, e paraparë dhe e dënueshme me nenin 30, (1) dhe (2), të Ligjit Penal të Krahinës Autonome te Kosovës, ndërlidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (aktualisht i paraparë edhe e me nenet 146 dhe 147, pika 3 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës KPK).
Tutje, në aktakuzë thuhet se të pandehurit e përmendur më sipër e kanë vrarë Ibush Kllokoqin, duke e qëlluar atë me shumë gjuajtje me armë zjarri. Më specifikisht i akuzuari F.G, i ka dhënë natën e vrasjes, Nazim Bllacës një armë zjarri të tipit Skorpion. Pastaj po atë natë së bashku me Shpresim Ukën, Bekim Sylen dhe Sadik Abazin kanë shkuar të shtëpia e viktimës. Shpresim Uka ka pritur afër shtëpisë ndërsa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, F.G dhe Bekim Syla, kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima kishte dalë tek dera, Nazim Bllaca e kishte vrarë duke e qëlluar me 6 plumba nga arma e përmendur më sipër.
Më tej, në akuzës thuhet se, më 3 nëntor 1999, i akuzuari në bashkëkryerje me tani të dënuarit Sadik Abazi, Shpresim Uka dhe Bekim Syla dhe Nazim Bllacën (të deklaruar dëshmitarë bashkëpunues nga ish Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 4 mars 2011) kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, e paraparë dhe e denueshme me nenin 30, (1) dhe (2), të Ligjit Penal të Krahinës Autonome te Kosovës, ndërlidhur me nenet 19 dhe 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (aktualisht i paraparë edhe e me nenet 146 dhe 147, pika 3 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës KPK), sepse të pandehurit e përmendur me sipër kanë tentuar ta privojnë nga jeta Ismet Arifin, duke e qëlluar atë disa herë me armë zjarri.