Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka komentuar bashkëpunimin e mëparshëm me Lëvizjen Vetëvendosje gjatë periudhës së opozitës, duke e cilësuar atë si një “gabim të madh”.
Në Debat Plus, Berisha theksoi se ky bashkëpunim ishte një gabim i rëndë, pasi sipas tij, Vetëvendosja kishte qëllime të tjera dhe e përdori mundësinë për të arritur në pushtet dhe për të dobësuar shtetin.
“Po është e vërtetë ua kemi jep krahët atëherë edhe ka qenë gabim i madh kur kemi bashkëpunuar me ta në opozitë. Derisa e pamë që qëllimi i tyre është për pushtet edhe me kallë shtetin. Edhe e kemi shkëputur këtë bashkëpunim”, ka thënë Berisha.
Duke e kritikuar VV-së, Berisha ka theksuar se ata janë “të kuq” dhe “të majtë”, teksa ka iu ka kërkuar qytetarëve që të orientohen për shtetin dhe jo për inate personale.
“Populli i Kosovës duhet të vetëdijesohet, nuk ka me iu pa hairi këtyre njerëzve. Yrnekun e kanë të keq, të kuq janë, të majtë. Inatet duhet me i lënë, ka njerëz plotë që e dojnë vendin e janë atdhetar, duhet me u orientu për shtetin. Jo më për inatin.
Nuk ka pas hajr shteti i Kosovës. I ke 5 vite të humbura, nuk ish dashtë me i humb edhe 4 tash”, ka shtuar Berisha.