Gaxherri: Ujdia e sotme në Bruksel për të zhdukurit, marketing politik i Qeverisë

Aktuale

Gaxherri: Ujdia e sotme në Bruksel për të zhdukurit, marketing politik i Qeverisë

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 22:14
Besa Gaxherri

Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Besa Gaxherri, e ka quajtur marketing politik dhe fushatë të Qeverisë dakordimin e arritur për zbatim të marrëveshjes për të zhdukurit të martën, në takimin trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Gaxherri është shprehur skeptike se Serbia do ta respektojë këtë marrëveshje.

“Një lloj marrëveshje apo deklarate çfare po deklarohet sot mes këtyre dy qeverive në prag fushate është shumë e ndjeshme për shkak se bëhet fjalë për persona të cilët janë të zhdukur, për familje që presin lajme me vite të tëra dhe unë konsideroj se tashmë në një prag fushate të merren me këtë temë nuk është adekuate, për shkak se unë jam prapë skeptike që Serbia do të respektojë këtë lloj deklarate apo marrëveshje edhe unë mendoj se marketing politik apo fushatë me cështje të tilla nuk duhet bëhet”, ka thënë Gaxherri.

Më tej, ajo ka thënë se vetëm ndikimi i bashkësisë evropiane mund të sigurojë që kjo marrëveshje të shtyhet para, pasi sipas saj kudo që nuk ka angazhim të tyre, Serbia vepron vetëm sa për të thënë se po bëjnë hapa para.

“Vetëm presioni i bashkësisë evropiane dhe ndërmjetësuesve aty mund të sigurojnë që çfarëdo marrëveshje e në mënyrë të veçantë kjo për të zhdukurit vetëm ndikimi i tyre mund të bëjë hapa përpara. Unë mendoj se gjithçka prej Serbisë kur nuk është e angazhuar bashkësia evropiane dhe ndërmjetësuesit është vetëm sa për të thënë vetë Serbia se gjoja po bën një hap para sepse edhe ata e kanë presionin e tyre në kuadër të shtyerjes së proceseve për bashkësinë evropiane”, ka deklaruar ajo.

Gaxherri po ashtu ka shtuar se kjo marrëveshje do të ishte e harruar deri tani sikur siç ka thënë ‘të ishte e varur vetëm prej qeverive të Kosovës’.

“Unë konsideroj që kjo marrëveshje do të ishte dashur që tashmë të ishte e harruar nga qeveritë paraprake dhe nga kjo qeveri por fatkeqësisht sic ka thënë ‘nuk është e varur prej qeverive të Kosovës”, ka përfunduar Gaxherri.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia të martën janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të të dyja vendeve me të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Bislimi tha se Kosova dhe Serbia do ta kenë një komision të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje që nga janari.

“Tani mund të ecim tutje që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen puna e këtij komisioni të pengohet”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat