Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po frikësohet se ish-krerët e UÇK-së mund të kthehen nga Haga në Kosovë ende pa filluar fushata.
Beqa e ka quajtur Qeverinë Kurti produkt të Gjykatës Speciale pasi sipas tij po të mos kishte ndodhur kjo gjykatë LVV-ja nuk do të ishte në qeverisje të Kosovës.
“Ne po e shohim që njerëzit që nuk ia duan të mirën këtij vendi po më duket se po i shohin në ëndërr Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin që po kthehen dhe po frikësohen ende pa filluar fushata. Po i frikësohen ata të cilët janë sot produkt i Gjykatës Speciale që qeverisin me vendin se sikur mos të kishte ndodhur gjykata në Hagë nuk do të ishin në qeveri”, ka thënë ai.
Ndryshe, të martën gjatë konferencës mbi ecurinë e çështjes, Hashim Thaçi theksoi se dy aktakuzat ndaj tij janë ngritur nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar pak para zgjedhjeve në Kosovë. Thaçi shtoi se nuk ka asnjë ambicie politike për ndonjë pozitë të caktuar në Kosovë.
“Pikërisht në këtë fazë të hershme të këtij procesi, për mbarëvajtjen e rregullt kushtetues dhe ligjor që duhet të ndodh, ju e dini para katër vitesh në nëntor 2020 u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjedhësha president i vendit. Tash, para dhjetë ditësh nxitimthi Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Dua të sqaroj edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike e as nuk kam ndonjë ambicie politike as për president as për kryeministër e as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për pozitë publike. E ritheksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik e as për ndonjë projekt qeverisës”, tha Thaçi.