Ministria e Ekonomisë ka lansuar Ankandin e Parë të Erës prej 100 MW në Kosovë, me përkrahje të Korporatës Ndërkombëtare Financiare si këshilltar kryesor i transaksionit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se Kosova ka potencial të madh natyror për energji të ripërtritshme.
“Ekonomia jonë po rritet me ritmin më të shpejtë në rajon, me rritje të bruto produktit vendor prej 6.36 përqind mesatarisht në tri vitet e fundit. Sot në krahasim me fillimin e mandatit tonë qeverisës kemi dyfishim të eksporteve dhe më shumë se dyfishim të investimeve të huaja direkte. Kjo reflekton edhe në rritjen e konsumit të energjisë elektrike nga bizneset.
Padyshim që kjo rritje ekonomike duhet të reflektohet edhe me rritjen e kapaciteteve të energjisë. Varësia nga importi i energjisë, veçanërisht nga shtetet autokratike, janë të rrezikshme jo vetëm për ekonominë por edhe për sigurinë kombëtare“, tha ai.
Tutje, Kurti potencoi se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit ua ka bërë me dije rëndësinë për fuqizimin energjetik.
“Sulmi kinetik ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Ibër Lepencit për furnizim me ujë e energji na e bëri me dije se sa është e rëndësishme që ne të forcohemi edhe në kuptimin energjetik të qeverisjes e të jetës sonë. Andaj shumëfishimi i burimeve të energjisë përmes energjisë së ripërtritshme, nuk është zgjidhje vetëm për sektorin e energjisë por edhe për të mbrojtur pavarësinë energjetike të Kosovës”, u shpreh Kurti.