Atentati ndaj zyrtarit policor në Pejë – sindikata kërkon dënim maksimal për autorin

Aktuale

Atentati ndaj zyrtarit policor në Pejë – sindikata kërkon dënim maksimal për autorin

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 10:52
Foto ilustrim

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me atentatin që ndodhi të martën mbrëma ndaj një zyrtari policor në Pejë.

Sindikata ka shprehur shqetësimin e thellë për këtë incident të rëndë ku një veturë me targa vendore ka tentuar ta godasë një zyrtar policor në detyrë.

Zyrtari policor, për fat të mirë, ka arritur t’i shmanget goditjes nga kjo veturë, ndërkohë që i dyshuari, gjatë lëvizjes, ka shtënë me armë zjarri nga dritarja e automjetit. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar dhe aktualisht po përballet me procedurat ligjore”, thuhet në reagim.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka shtuar se ky akt kriminal dhe i papranueshëm nuk përbën vetëm një sulm ndaj zyrtarit policor, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, rendit dhe sigurisë publike.

“Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri, duke siguruar që autori i këtij akti të përballet me dënimin maksimal që parashikon ligji. Sulmet ndaj zyrtarëve policorë nuk duhet të tolerohen dhe duhet të trajtohen me prioritet për të dërguar një mesazh të qartë se ligji dhe rendi janë të pacenueshëm”, thuhet tutje në reagim.

Sindikata thekson se zyrtarët policorë janë shtylla e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së institucioneve të shtetit.

“Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës, dhe çdo akt dhune ndaj saj duhet të dënohet fuqishëm nga të gjithë. Sindikata qëndron e palëkundur në përkrahje të çdo anëtari të Policisë së Kosovës dhe do të vazhdojë të kërkojë drejtësi dhe siguri maksimale për zyrtarët tanë”, thuhet në fund të reagimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat