Jo shumë mërgimtarë të regjistruar për të votuar, Kurti i porosit nga mbledhja e Qeverisë: Kanë mbetur veç 8 ditë, mos e lini për fund
Kryeministri Albin Kurti i dha mërgatës epitete si “punëtore” e “patriotike”, ndërsa u kërkoi bashkatdhetarëve jashtë vendit që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë.
Ai u tha atyre në mbledhjen e sotme të Qeverisë se “kanë mbetur vetëm tetë ditë deri në përmbylljen e afatit për regjistrim, për votim jashtë vendit”.
“Mos e lini ditën e fundit”, porositi Kurti.
“Po i drejtohem mërgatës sonë nga mbledhja e Qeverisë sepse vota e tyre ka qenë përcaktuese për përbërjen e kësaj qeverie, siç ka qenë edhe kontributi i saj përcaktues për fatin e mirëqenien e vendit tonë ndër vite”, tha ai.
Kurti kujtoi se ata mund të votojnë edhe në ambasadat e konsullatat e vendit në shtetet ku jetojnë.
Regjistrimi dhe votimi, ai tha se “nuk merr më shumë se pesë minuta kohë”.
Ndërsa afati i regjistrimit për votim jashtë vendit është afruar (26 dhjetor), janë mbi 30 mijë qytetarë jashtë vendit që janë regjistruar.
Nenad Rashiq s’ia përkrah Kurtit themelimin e muzeut për gjenocid, e çon dorën dhe abstenon
Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka abstenuar sa i përket themelimit të muzeut të gjenocidit dhe përpjekjes për liri, muze ky që do të ndërtohet nga Ministria e Kulturës.
Kurti në mbledhje të Qeverisë e ka paraqitur këtë si pikë të parë të rendit të ditës.
“Kemi shqyrtimin e propozim vendimit për themelimin e muzeut të gjenocidit dhe përpjekjes për liri”, ka thënë Kurti në mbledhje.
Pasi ministri Hajrullah Çeku e ka prezantuar projektin, Kurti e ka hedhur çështjen për votim.
Kur ka pyetur për abstenim, ka qenë ministri Nenad Rashiq i vetmi që e ka ngritur dorën.
Kurti: Lëvizja e lirë e qytetarëve të Bosnjës në Kosovë nga 1 janari do t’i rrisë lidhjet ndërmjet qytetarëve
Kryeministri Albin Kurti rikujtoi në fillim të mbledhjes së sotme të se nga 1 janari Kosova, njëanshëm, do ta lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnjë e Herecegovinës.
Ai tha se ky vendim “do të rrisë lidhjet ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjës”.
“…Do të shtojë mundësitë për bashkëpunim ndërmjet tyre dhe do të nxisë shkëmbimet e studentëve, ndërmarrësve, sportistëve, artistëve e profesionistëve të të dy vendeve”, tha ai.
“Veçanërisht më gëzon fakti që do të përfitojnë shqiptarët në Bosnjë që kanë familje dhe farefis në Kosovë dhe boshnjakët në Kosovë që mudn të mirëpresin familjarët dhe farefisin e tyre nga Bosnja”, shtoi Kurti.
Ai tha se “rreth 12 mijë shqiptarë jetojnë në Bosnjë e Hercegovinë, ndërkaq rreth 27 mijë boshnjakë jetojnë në Kosovë”.
“Nga 1 janari 2025 Kosova do të jetë vendtakimi i tyre, andaj edhe ne do t’i mirëpresim përzemërsisht”, tha Kurti.