Prapa sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit qëndron Milan Radojiçiq, i mbështetur nga Serbia. Kështu tha kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, e cila tregoi se një gjë e tillë është thënë nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti. Në raportimin me dyer të mbyllura, ajo tregoi se është thënë që gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile.
Pas mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, deputetja Musliu theksoi se në komunat veriore ka ende provokime e tensione të nxitura nga shteti serb.
Musliu: Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile
"Diskutuam për të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e vendit. Sa i përket raportimit të drejtorit, gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile me provokime të mundshme nga ana e Serbisë. Kur them gjendja është stabile, përjashtohen pesë komunat veriore ku herë pas herë kemi tensione dhe provokime të nxitura nga shteti serb dhe strukturat kriminale të Serbisë atje. Folëm për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit dhe për çështje të tjera”, deklaroi Musliu.
Gjatë raportimit të drejtorit të AKI-së, Musliu tha se është thënë që prapa sulmit të kanalit në Ibër-Lepenc qëndron Millan Radojiçiq.
Musliu: Prapa sulmit në Ibër-Lepenc qëndron Radojiçiqi
“Në bazë të asaj se çfarë u tha nga drejtori i AKI-së në këtë takim, prapa atij sulmi qëndron Radojiçiq i mbështetur nga shteti serb... Unë ndaj aq sa më lejohet, vetë fakti që drejtori ishte në një raportim para Komisionit Parlamentar nuk mund të jap një deklaratë të pa faktuar dhe të pa bazuar”, shtoi Musliu para mediave.
Në mbledhjen e këtij komisioni është diskutuar edhe për prezencën e drogave sintetike në shkollat e vendit.
Musliu: Shqetësim i jashtëzakonshëm për prezencën e drogave sintetike në shkolla
“Vlen të theksohet se një shqetësim i jashtëzakonshëm vazhdon mbetet edhe degradimi ose prezenca e madhe e drogave sintetike në shkollat e Kosovës dhe që duhet të vëmë një alarm edhe ne si institucione edhe ju si media por mbi të gjitha edhe prindërit të cilët i kanë fëmijët në shkolla e ku fatkeqësisht ata janë target i drogave sintetike”, përfundoi Musliu.