Gazeta raportoi ekskluzivisht për një rast të gjuajtjes me armë me gaz në Prishtinë. Driton Berisha po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm në vazhdimësi. Ai në tri data të ndryshme, me pistoletën e tij me gaz të tipit “Zoraki” në orë të vona ka shtënë përpjetë në rrugën “27 Nëntori” në Prishtinë. Një herë shtiu me veturë private, e dy herë nga një taksi. Për taksistin Tahir Millaku ka ngritur aktakuzë për moslajmrim të veprave penale. Millaku i ka thënë avokates së tij, Aurora Mulhaxhës, se është sulmuar fizikisht nga pesë policë.
Mulhaxha në fillim të seancës gjyqësore ka thënë se klienti i tij, taksisti i “City Taxi” Tahir Millaku është sulmuar me boksa në bark nga pesë policë, duke thënë “ishalla s’e kanë prekë Dritonin kur është proceduar në stacionin policor”, duke aluduar për Berishën që akuzohet se shtiu me armë.
“Ne fillim te seances avokatja Aurora Mulhaxha e njofton gjykaten dhe prokurorin se para hyrjes ne seance gjate qendrimit ne korridor i pandehuri Tahir Millaku, mi tregoj lendimet trupore duke me thene me kane sulmuar 5 police, me kane rrahe edhe boksa barkut e ishalla se kane prek Dritonin ne diten kur eshte procedu ne stacionin policor, i thashe une jam obliguar ta njoftoj gjykaten ku i njejti me tha avokate ata jane shoke nuk du me pase probleme me ta”, thuhet në procesverbalin e seancës.
“I pandehuri deklaron se une nuk dua te hape rast ne lidhje me kete por me ndodh ka ndodh. Arsyjea ka qene se pse nuk ja kam dit emrin Driton Berishes, dhe nuk e kam dit qe ka ndodh dy here”, thuhet tutje në procesverbal.
Çka thotë aktakuza?
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Driton Berishës dhe Tahir Millakut. Në aktakuzën të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, precizohet se si Berisha ka gjuajtur tri herë me armën e tij me gaz, në të njëjtën rrugë në Prishtinë në periudha të ndryshme.
“Me datën 20.11.2024, rreth orës 01:35, pas mesnatës në rrugën “27 Nëntori”, Komuna Prishtinë, i pandehuri, ka përdorur armë zjarri në kundërshtim me Ligjin mbi armët numër 05/L-022, dhe atë armën me gaz e tipit – “Zoraki M906T”, me nr. serik të cilen e posedonte pa leje, ashtu që naten kritike i pandehuri duke kaluar me veturë private në levizja e siper ka shtënë tri (3) here në ajër, me ç’rast në vendin e ngjarjes janë gjetur tri (3) gezhoja, të cilat janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor.
III. Me datën 02.12.2024, rreth orës 22:45, në rrugën “27 Nëntori”, Komuna Prishtinë, i pandehuri, ka përdorur armë zjarri në kundërshtim me Ligjin mbi armët numër 05/L-022, dhe atë armën me gaz e tipit – “Zoraki M906T “, me nr. serik të cilen e posedonte pa leje, ashtu që naten kritike i pandehuri duke kaluar me veturen e kompanise “City Taxi” në levizja e siper ka shtënë katër (4) here në ajër, me ç’rast në vendin e ngjarjes janë gjetur kater (4) gezhoja, të cilat janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor,-
IV. Me datën 05.12.2024, rreth orës 01:00, pas mesnatës në rrugën “27 Nëntori”, Komuna Prishtinë, i pandehuri, ka përdorur armë zjarri në kundërshtim me Ligjin mbi armët numër 05/L-022, dhe atë armën me gaz e tipit – “Zoraki M906T”, me nr. serik të cilen e posedonte pa leje, ashtu që naten kritike i pandehuri duke kaluar me veturen e kompanise “City Taxi” në levizja e siper ka shtënë tri (3) here në ajër, me ç’rast në vendin e ngjarjes janë gjetur tri (3) gezhoja, të cilat janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Ndërkaq, taksisti Millaku sipas dosjes akuzohet për mos-lajmërim të veprës penale që ka kryer në dy net të ndryshme Berisha.
“V. Me datë 02.12.2024, rreth orës 22:45, në rrugën “27 Nëntori”, Komuna Prishtinë, i pandehuri, duke qenë në dijeni se i pandehuri Driton Berisha ka kryer vepër penale, i njëjti nuk e lajmron faktin e tillë, ashtu që perderisa ishte në punë në poziten e taksistit në kompaninë “City Taxi” e duke e transportuar të pandehurin Driton në rrugen e lartcekur, i njëjti kishte shtënë me armë kater herë, ndersa i pandehuri Tahir nuk e kishte lajmeruar rastin në polici,
VI. Me datë 05.12.2024, rreth orës 01:35, pas mesnatës në rrugën “27 Nëntori”, Komuna Prishtinë, i pandehuri, duke qenë në dijeni se i pandehuri Driton Berisha ka kryer vepër penale, i njëjti nuk e lajmron faktin e tillë, ashtu që perderisa ishte në punë në poziten e taksistit në kompaninë “City Taxi” e duke e transportuar të pandehurin Driton në rrugen e lartcekur, i njëjti kishte shtënë me armë tri herë, ndersa i pandehuri Tahir nuk e kishte lajmeruar rastin në polici“, thuhet tutje në dosje.