Të martën në Bruksel gjatë takimit trepalësh ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, me të dërguarin e Bashkimit Evropian u bë dakordimi i Kosovës dhe i Serbisë për zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë.
Lidhur me këtë dakordim politologu, Albinot Maloku, ka thënë se nga presioni i Bashkimi Evropian varet angazhimi i Serbisë për ta jetësuar PO-në e saj.
Sipas Malokut Serbia asnjëherë në angazhimet e saj nuk ka vepruar pa pasur presion apo pa pasur kundërpeshë të kusurit politik për të jetësuar ndonjë marrëveshje.
“Sa është e gatshme Serbia që të angazhohet në këtë PO-në e saj të marrëveshjes së fundit varet nga faktorë të tjerë të rëndësisë së veçantë sidomos nga Bashkimi Evropian e cila nëse dëshiron të ecet përpara të shtoj presionin e vet. Historikisht Serbia dihet që në të gjitha angazhimet e saj nuk ka vepruar në asnjë moment pa pasur presion apo pa pasur kundërpeshë të kusurit politik për të jetësuar PO-në e vet nga e cila ose për të cilën është pritur me padurim nga pala tjetër që i ka thënë PO një cështjeje. Pra jetësimi, angazhimi i Serbisë në zbardhjen e gjendjes e fakteve të të pagjeturve është paralelisht me presionin kundërpeshën që mund të ketë nga ndërmjetësi në këtë rast nga Bashkimi Evropian por edhe nga faktori ndërkombëtar i cili ka një interes për këtë cështje”, është shprehur Maloku.
Ai tutje ka shtuar se Serbia tani e ka mundësinë që të bëjë paralelizëm me Kosovën edhe pse siç ka thënë nuk e di se në çfarë momentesh mund ta përdorë këtë gjë.
“Serbia e ka tash kompetencën dhe mundësinë që të ngre paralele në kuptimin e që ne japim këtë dhe ju duhet të jepni këtë .Nuk di në çfarë momentesh do të ketë mundësi të bëjë këtë paralelizëm me Kosovën duke e ditur se Kosova në vitet 98-99 në luftën e saj UÇK nuk ka pasur mundësi të dokumentojë situatën për arsye se dihet cili ka qenë pozicioni i Kosovës dhe qytetarëve të saj në atë përiudhë gjë e cila nuk vlen për Serbinë”, ka thënë ai.