Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, partia që ai udhëheqë, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, garon vetëm me veten, derisa ka vlerësuar se nuk duhet të humbin kohë me partitë tjera, të cilat aktualisht janë pjesë e opozitës.
Këto komente, Kurti i ka bërë në një tubim me simpatizantët në sallën 1 tetori në Prishtinë, në prezantimin e kandidatëve për deputetë nga radhët e LVV-së.
Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët Guxo dhe Alternativa, garon vetëm me veten. Nuk na duhet të humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten, me vështrimin në qëllimet tona më të larta.
Kurti ironizoi me opozitën, madje shkoi deri atje saqë tregoi se për çfarë gare po bëjnë partitë e tjera.
Në Kosovë kësaj radhe, ai pretendoi se zhvillohen tri gara elektorale. “Janë ata që garojnë me pragun; janë ata që garojnë mes vete në garën e pretendentit serioz dhe janë të cilët garën e vetme e kanë me vetveten”.
Prandaj, kryeministri vlerësoi se “ndonëse jemi në një proces elektoral, ne jemi në gara krejtësisht të ndara”.
“Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët Guxo dhe Alternativa, garon vetëm me veten. Nuk na duhet të humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten, me vështrimin në qëllimet tona më të larta”, pohoi.
Kurti u kërkoi angazhim maksimal anëtarëve të partisë për të arritur objektivin që ka caktuar: 500 mijë vota.
“Lë të angazhohem me të gjitha mundësitë; individuale dhe kolektive, familjare dhe profesionale për ta ngritur subjektin tonë në shifrën e 500 mijë votueseve apo gjysmë milioni të qytetarëve të Republikës”, shtoi.