Një ditë pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja për fatin e personave të pagjetur në Kosovës, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti është shprehur skeptik në zbatimin e saj nga pala serbe. Ai thotë se kjo marrëveshje nëse nuk zbatohet nga Serbia çdo lloj shqetësimi, dhe mos zbatimi i saj do të dorëzohet në 27 vendet anëtare të BE-së.
Kështu po shpjegon dhimbjen të cilën ende e ka për gjyshen e tij të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Edhe pas 25- vitesh nga përfundimi i luftës në Kosovës, Mehdi Ahmeti nga Rezalla po i kërkon eshtrat e familjares së tij.
Ani pse të mërkurën, përfundimisht Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, Ahmeti nuk pret lëvizje pozitive në këtë drejtim.
“Marrëveshjen e kemi mirëpritur shumë, por sa do të zbatohet pak kena shpresa sepse qe katër vite nuk është punuar në këtë drejtim kurgjo hiq. Kështu që po shpresojmë të ecim në këtë drejtim. Shumë pak besoj se jepin informacione, veç nëse ka presion nga ndërkombëtarët, shpresoj por përndryshe jo. Serbia mbetet gjithmonë serbi” , ka deklaruar ai.
Ai tregoi rastin se si janë maltretuar fshatarët e fshatit Rezallë e që njëri nga ta është gjetur por jo edhe familjaren e tij.
“ Në Polluzhë i kanë ndalë familjet aty, e kanë ndalë edhe atë. Tregojnë për këtë Ibush Deliun që e kanë maltretuar e kanë lidh për do dyer aty ata e kanë marrë e kanë pru këtu tek varrezat tona këtu në fshatin Rezallë, e kena gjet të varrosur ai nuk është gjet në Serbi por është gjetur këtu në Rezallë, gjyshën jo kurrë hiq” , ka deklaruar ai.
Nga komisioni qeveritar për Personat e Pagjetur thanë se brenda 1 muaji pas konsolidimit të grupit punues, pritet të realizohet takimi i parë mes stafit të Kosovës dhe të Serbisë.
“Dje ishim në takim me z.Lajcak ku u njoftuam se Serbia ka pranuar të tërhiqet nga ai term prej atij lloj dokumenti dhe janë miratua termat e referencës për formimin e Komisionit të përbashkët të mekanizmit për personat e pagjetur. Në kuadër të këtij mekanizmi të komisionit të përbashkët brenda 1 muaji duhet t’i dërgojmë edhe emrat, ky komisioni udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, ne duhet me i dërgua emrat e Kosovës dhe Serbia emrat e vet dhe takimin e parë duhet ta mbajmë brenda 1 muaji”, ka deklaruar Hoti.
Sipas Hotit pritshmëritë e arritjes së rezultateve janë shumë të vogla pasi që Serbia nuk do të lëshohet në informacione edhe për 11 lokacionet e tjera ku dyshohet se ka trupa të shqiptarëve në Serbi.
“Komisioni i përbashkët diskuton çdo lloj shqetësimi çdo lloj mos marrëveshje dhe që janë shumë, i delegon në nivele më të larta në këtë rast tek zëvendës kryeministri, që tek ne është kryenegociator z.Bislimi pastaj tek high level, niveli i lartë që është z.Kurti dhe kur aty nuk arrihet një lloj akordimi e që unë besoj se nuk arrihet duke e njohur Serbinë dhe tu e ditë që Serbia në praktik nuk ka zbatuar asnjë marrëveshje, këto shqetësime këto probleme do të raportohen tek 27 vendet e BE-së, kështu shkruan në dokumentin që e kemi” .
Pas dakordimit në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se është premtuar nga pala serbe që muajt e ardhshëm të mbahet takimi i Komisionit të përbashkët dhe se ky komision nuk do të pengohet në punën e tij.