Von der Leyen: Po e shqyrtojmë aplikimin e Kosovës dhe jemi gati t’i heqim masat

Aktuale

Von der Leyen: Po e shqyrtojmë aplikimin e Kosovës dhe jemi gati t’i heqim masat

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 22:25
Von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur gatishmërinë që institucioni që ajo drejton të nisë punën në trajtimin e aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit.

Megjithatë, ajo theksoi se për këtë proces është i nevojshëm një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së.

“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me opinion. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati”, ka thënë Von der Leyen gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel.

Kosova ka aplikuar në vitin 2022 për statusin e kandidatit, por deri më tani nuk është trajtuar nga Këshilli i BE-së.

Për të mandatuar Komisionin Evropian të punojë në opinionin përkatës, kërkohet një vendim unanim nga të gjitha shtetet anëtare.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se edhe çështja e masave ndaj Kosovës është në duar të shteteve anëtare, të cilat duhet të vendosin njëzëri për heqjen e tyre.

“E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet unanimiteti i vendeve anëtare, të cilin tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim, sepse gjithsesi është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar se pavarësisht rrethanave, Kosova ka mbështetje të plotë nga institucionet evropiane.

comment3 komente
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat