Gjykata e Prishtinës e shpall fajtor dhe e dënon Dushan Drobacin, i akuzuar për sulm ndaj KFOR-it e Policisë së Kosovës

Aktuale

Gjykata e Prishtinës e shpall fajtor dhe e dënon Dushan Drobacin, i akuzuar për sulm ndaj KFOR-it e Policisë së Kosovës

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 23:09
Pamje nga seanca

Dushan Drobac është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e Prishtinës, nën akuzën se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Shpallja e Aktgjykimit u bë nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.

Sipas Aktgjykimit të shpallur, Gjykata të pandehurit Dushan Drobac për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar” i shqiptoi dënim me burgim, në kohëzgjatje prej 18 muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa, sipas Aktgjykimit të shpallur për veprën penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” i shqiptoi dënim me burgim, në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me dënim në gjobë, në shumën 15,000 euro, të cilin dënim duhet ta paguajë në afat prej 15 ditësh – pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi e jo më gjatë se 3 muaj pasi Aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Po ashtu, gjyqtarja Namani-Hajra tha se të akuzuarit i vazhdohet edhe masa e paraburgimit, derisa Aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në këtë Aktgjykim, për të cilin vendim Gjykata do të marrë vendim të veçantë dhe palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij Aktvendimi.

Kjo çështje penale mori epilog, pasi që paraprakisht para shpalljes së Aktgjykimit është bërë aprovimi nga ana e Gjykatës – lidhur me Marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit, Dushan Drobac.

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 29.05.2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e vona të mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri Dushan Drobac, në koordinim me shumë të pandehurë të tjerë, ka marrë pjesë aktive në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Në Aktakuzë thuhet se nga përdorimi i mjeteve të forta, shufrave të ndryshme, molotovit, mjeteve shpërthyese të improvizuara, si dhe armëve të zjarrit janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it; 3 nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare, për të garantuar rendin e qetësinë publike, për të gjithë qytetarët në atë pjesë. Nga këto grupe, janë rrezikuar seriozisht jeta dhe trupi i këtyre personave, të cilëve edhe u kanë shkaktuar lëndime trupore.

Me këto veprime  i pandehuri Dushan Drobac në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.

Po ashtu, sipas Aktakuzës, në datë dhe kohë të njëjtë, i pandehuri, në koordinim me shumë të pandehurë të tjerë, ka marrë pjesë aktive në grupin, përkatësisht turmën e personave, me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, të cilët, përmes përdorimit të dhunës, kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në Komunat veriore të vendit.

Tutje, sipas Aktakuzës, edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it, për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e Komunës, i pandehuri, së bashku me të pandehurit e tjerë, kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta: molotov, mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe me armë zjarri.

Gjithnjë, sipas Aktakuzës, nga këto veprime ishin lënduar të paktën 30 (tridhjetë) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it; 3 nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, të Policisë së Kosovës dhe në veturat e gazetarëve, të cilët i kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite – duke përfshirë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe. Çka me këto veprime kanë shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë, për jetën e trupin e shumë njerëzve, e pasurisë.

Me këto veprime, i pandehuri në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

comment1 koment
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat