​IPK: Rriten ankesat e qytetarëve ndaj zyrtarëve policorë

Aktuale

​IPK: Rriten ankesat e qytetarëve ndaj zyrtarëve policorë

Më: 19 dhjetor 2024 Në ora: 11:10
Policia

Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar rreth 21% më shumë ankesa nga qytetarët për zyrtarët policorë, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas këtij institucioni, ankesat vinë kryesisht si rezultat i “keqkomunikimit në mes të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve e që në disa raste përfundon me përdorim të forcës”. Nga këto raste, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e rreth 85 zyrtarëve policorë.

Gjatë këtij viti, IKP-ja ka pranuar rreth 1.900 ankesa për punën e policëve, thotë për KosovaPress, kryeshefi i këtij institucioni, Kushtrim Hodaj.

“Edhe këtë vit kemi pasur një rritje të numrit të ankesave të qytetarëve që adresojnë ndaj punës së Policisë, i kemi diku mbi 20%, rreth 21% ankesa më shumë këtë vit sesa vitin e kaluar. Deri më tani, prej janarit kemi pranuar rreth 1.900 ankesa, dhe jemi në trendin që ndoshta deri në fund të vitit do të kalojë numrin 2 mijë të ankesave të qytetarëve ndaj Policisë për çështje dhe aspekte të ndryshme që ata mendojnë që të drejtat e tyre janë shkelur apo cenuar nga zyrtarët policor”, thotë ai.

Gjatë vitit 2024, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e 85 zyrtarëve policorë, ndërkaq 21 të tjerë janë arrestuar.

Hodaj thotë se gjatë kësaj periudhe, kanë ngritur edhe 83 kallëzime penale.

“Një prej ankesave më të shpeshta, pikërisht kjo që ka tejkalim të përdorimit të forcës, ka komunikim jo të duhur në mes të policëve dhe qytetarëve. Pastaj, ka ankesa për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka ankesa që lidhen me marrjen e ryshfetit dhe raste tjera të natyrave të ndryshme duke përfshirë aksidente ku përfshihen zyrtarët policorë, mënyrën e trajtimit të rasteve, vonesat e trajtimit të rasteve...Ne kemi rekomanduar suspendimin e rreth 85 zyrtarëve policorë në raste të ndryshme të cilat ne kemi zhvilluar hetime penale, janë arrestuar 21 zyrtarë policor dhe disa qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkëta të dyshuarve me zyrtarët policorë. Kemi ngritur 83 kallëzime penale, dhjetëra raporte të veçanta dhe raporte informuese i kemi dorëzuar në prokuroritë kompetente”, thekson kryeshefi i IPK-së.

Regjioni i Prishtinës mbetet parashtruesi më i madh i ankesave, sipas Hodajt.

Për uljen e rasteve të incidenteve, Hodaj thotë se duhet të rriten kriteret në trajnimet bazike dhe pastaj të ketë ricertifikimit për çdo vit.

“Ne konsiderojmë që është një pjesë e rëndësishme të fuqizohen, të rriten kriteret qysh prej trajnimit bazik dhe pastaj ricertifikimet duhet të bëhen çdo vit që të kujdesemi që zyrtarët policor autorizimet e tyre i zbatojnë konform rregullave dhe procedurave që janë të autorizuar dhe gjithçka që është e rëndësishme, është mënyra e komunikimit të qytetarëve duhet t’i jepet rëndësi dhe Policia duhet ta fuqizojë këtë pjesë në kurrikulat e trajnimit, për shkak se shumë prej incidenteve që ndodhin, shumë prej ankesave që vinë tek ne, vinë si rezultat i një keqkomunikimi në mes të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve, dhe pastaj përfundon qoftë në akuza për pengim në detyrën e Policisë, qoftë në përdorim të forcës ndaj qytetarëve dhe përfundojnë me akuza dhe kundër akuza. Dhe kjo në të shumtën e rasteve fillon për shkak të një komunikimi jo të duhur dhe besojmë që Policia duhet t’i jap rëndësi shumë kësaj pjese në trajnimet bazike, në rekrutët që pranojnë për fillim për punën në Polici, por pastaj edhe në trajnimet e avancuara dhe të vazhdueshme”, thekson Hodaj.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës tha se për Policinë kanë rekomanduar rritje të kapaciteteve në mënyrë “që të zvogëlohet koha e reagimit nga momenti i njoftimit për ndonjë rast”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat