Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Bahtijari, e ka pranuar fajësinë para Dhomave të Specializuara në Hagë dhe është pajtuar me një dënim deri në dy vjet burgim.
Bahtijari e bëri këtë nëpërmjet një marrëveshjeje për pranim të fajësisë që e arriti me Prokurorinë e Specializuar.
Ai akuzohet se, së bashku me Haxhi Shalën dhe Sabit Jonuzin, kishin bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar për të mos dëshmuar para Gjykatës Speciale.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhet fjalë apo në cilin rast ka qenë e paraparë të dëshmojë ai.
“Fajtor”, tha Bahtijari para panelit gjyqësor kur u pyet se si deklarohet për akuzat ndaj tij, në seancën e datës 19 dhjetor.
Me këtë marrëveshje, ndër tjera, Bahtijari u pajtua që në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apelimi ndaj këtij vendimi.
Një ditë më parë, edhe Shala e Jonuzi e pranuan fajësinë në gjykatë pas marrëveshjeve që arritën veç e veç me Prokurorinë, raporton REL.
Shala u pajtua me një dënim deri në dy vjet burgim ndërsa Jonuzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj.
Paneli gjyqësor ka bërë të ditur se vendimi për pranimin apo jo të marrëveshjeve të pranimit të fajësisë për të tre të akuzuarit “do të bëhet me kohë”.