Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i është kundërpërgjigjur BE-së e cila dje i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.
Kryeziu për RTV21 tha se vendosja në të njëjtën balancë të Kosovës dhe Serbisë në aspketin e zbatimit të marrëveshjes është e gabuar dhe padrejtë.
Sipas tij, Kosova e ka shfaqur përherë gatishmërinë edhe për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe ecjen përpara me procesin e dialogut dhe përmbylljen e saj me njohje reciproke.
”Në njërën anë e kemi Kosovën një shtet demokratik, që udhëhiqet nga parime e vlera të demokracisë, të drejtave e lirive të njeriut, sundimit të ligjit. Që e ka shfaqur përherë gatishmërinë edhe për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe ecjen përpara me procesin e dialogut dhe përmbylljen e saj me njohje reciproke. Në anën tjetër, kemi një Serbi e cila është antiteza e këtyre vlerave. Një Serbi që orkestron dhe sponsorizon një sulm paramilitar, me të cilin synohet aneksimi i veriut të Kosovës, ku mbetet i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës dhe që strehon dhe e mbështet kryeterroristin Millan Radoiçiq edhe më shumë se 14 muaj pas pranimit të fajësisë për sulmin në Banjskë.
Një Serbi që mban aleancë të fortë me Rusinë, që nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, nuk linjëzon politikën e saj të jashtme me BE-në dhe sytë i mban kah BRICS-i. Krejt këto, krahas pranimit të Marrëveshjes Bazik të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit nga ana e Kosovës, dhe minimit të vazhdueshëm të marrëveshjes si verbalisht po ashtu edhe me shkrim, shkeljeve të njëpasnjëshme dhe refuzimit të nënshkrimit të saj nga ana e Serbisë. Andaj, vendosja në të njëjtën balancë të Kosovës dhe Serbisë është e gabuar dhe padrejtë. Me keqardhje na duhet të themi se deklarata e samitit e bën pikërisht këtë, në vend se të sanksionohen sulmet e vazhdueshme dhe sjellja agresive i Serbisë ndaj Kosovës, dhe të dënohet shkelja e përsëritur e Marrëveshjes Bazike dhe refuzimi e bllokada e Serbisë për zbatimin e saj”, tha Kryeziu.