Prishtinë– Familja e Kastriot Ramadanit, viktimës në rastin “Bon Vivant 2”, ka hequr dorë nga pjesëmarrja në gjykim, me arsyetimin se nuk besojnë që drejtësia do të vihet në vend në këtë rast, për shkak të shkeljeve që pretendojnë se e kanë përcjellë këtë gjykim nga fillimi i hetimeve e deri tani.
Në këtë rast, Andi Pajaziti akuzohet se e ka kryer vrasjen në gjendje të tronditjes së fortë mendore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi i çështjes, Eroll Gashi ka njoftuar se përfaqësuesi i familjes së dëmtuar Visar Ramadani, përmes një parashtrese, ka njoftuar këtë Gjykatë se duke qenë të zhgënjyer nga Prokuroria, e pastaj edhe nga vendimi që Gjykata e kishte dënuar mbrojtësin e familjes së dëmtuar, avokatin Flakron Sylejmani, nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar letrën që familja e viktimës, përkatësisht Visar Ramadani e ka dërguar në emër të familjes Ramadani, për gjykatësin e rastit, Eroll Gashi, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi dhe prokuroren Nebahate Salihu.
Në këtë letër, familja e viktimës ka shprehur zhgënjim për mënyrën se si është trajtuar rasti, duke thënë se kanë humbur besimin në drejtësi.
Familja e viktimës pretendon se hetimet nuk janë kryer siç duhet dhe se aktakuza është skandaloze. Prokuroria, sipas tyre, nuk ka trajtuar një nga provat më të rëndësishme- video-incizimin e publikuar nga tani i akuzuari Andi Pajaziti para vrasjes, ku shihet me armë i përgatitur për të shkuar në lokal.
Sipas tyre, ekspertiza mjekësore konstatoi se vepra është kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, duke u bazuar vetëm nga biseda me të akuzuarin, që ngjall dyshimet se hetimet e Prokurorisë nuk kanë qenë objektive.
Në letër, po ashtu pretendohet se gjykatësi Gashi ka mbajtur anën e palës së akuzuar. Avokati i palës së dëmtuar, thuhet se është ndërprerë në vazhdimësi kur fliste, e që e njëjta sipas tyre nuk ndodhi me palën tjetër. Madje, në një rast, thonë se gjykatësi kishte dalë jashtë kontrollit derisa përfaqësuesi i tyre po i parashtronte pyetje ekspertit.
Bazuar në të lartpërmendurat, familja e viktimës njoftojnë se nuk do të marrin pjesë më në këtë gjykim dhe se nuk do t’i përfaqësojë askush.
Letra e plotë:
“Të nderuar,
Unë, Visar Ramadani, vëllai i Kastriot Ramadanit, po ju shkruaj për të shprehur zhgënjimin tim të thellë me mënyrën se si është trajtuar rasti i vëllaut tim.
Sot, ju shkruaj jo vetëm si vëlla i Kastriotit, por edhe si një njeri që ka humbur çdo besim në drejtësi. Kam ardhur në gjykatë me shpresën se vrasësi i vëllait tim do të merrte dënimin e merituar, se ky sistem do të na jepte pak ngushëllim në dhimbjen tonë të pafund. Por tani, shoh se kam gabuar. Në vend që të na mbështesë, prokuroria dhe gjykata kanë zgjedhu r të mbrojnë vrasësin.
Që kur vëllai im u vra, kemi pritur që e vërteta të zbardhet në plotësi dhe fajtori të marrin dënimin e merituar. Por, gjithçka që kemi parë deri tani na ka bërë të humbasim besimin në sistemin e drejtësisë.
Hetimet nuk janë bërë siç duhet nga prokuroret Ilaz Beqiri dhe Bukurie Gjonbalaj. Askush nuk ka ftuar për të dëgjuar madje as bashkëshorten e Kastriotit si palë e dëmtuar e cila ka treguar se ai ka qene i shqetësuar dhe se Kastriotin e kane ftuar për shku në kafen “Bon Vivant “ se ata kanë probleme.
Aktakuza që ka ngritur Prokuroria është skandaloze dhe e papranueshme për ne, e cila madje nuk ka trajtuar as provat që ka pasur në lëndë nuk ka propozuar asnjë dëshmitarë apo palë të dëmtuar e që ishim të shumtë.
Është shqetësuese për ne si familje se Prokuroria nuk ka trajtuar një nga provat më të rëndësishme si video-incizimi i bashkëngjitur raportit të Policisë të datës 25.8.2023. Kjo video, e publikuar në rrjetet sociale nga Andi Pajaziti pak para vrasjes, tregon qartë se ai ishte i armatosur me një armë automatike dhe se ishte i përgatitur paraprakisht për të shkuar në lokal.
Për më tepër, Prokuroria ka fshehur këtë provë dhe jo vetëm, por madje nuk ka kryer as ekzaminime të tjera të nevojshme, siç është ekzaminimi i video-incizimeve të lokalit “Bon Vivant” nga Agjencia e Forenzikës por i ka mjaftua vetëm një analize preliminare e këtyre videove nga Policia.
Për ne si familje është e tmerrshme qysh një ekspertizë mjekësore e datës 07.05.2024 e hartuar nëntë muaj më vonë ka ardhur në ato përfundime vetëm nga biseda me vrasësin. Ekspertët kanë dalë jashtë kompetencave të tyre duke konstatuar fillimisht se “vepra është kryer” dhe pastaj duke konstatuar se “është kryer në gjendje të tronditjes së rëndë mendore” duke hyrë në rolin dhe kompetencat e prokurorisë dhe gjykatës. Këto veprime të Prokurorisë krijojnë bindjen se hetimet nuk kanë qenë të plota dhe objektive, por janë ndikuar nga lidhjet e vrasësit ( i cili është i dyshuar edhe për disa vrasje tjera) dhe njerëzve të tij me prokurorinë dhe gjykatën.
Por më e keqja është se edhe në gjykatë nuk kemi gjetur drejtësi. Ju, gjyqtari Eroll Gashi, nuk keni qenë i drejtë me ne.
Kemi parë se gjatë gjithë kohës keni mbajtur anën e atij që akuzohet për vrasjen e vëllait tim. Madje, edhe keni marrë edhe udhëzime nga avokatët e tyre se si të veproni e kjo shihet edhe përmes video-incizimeve të mediave dhe këtë fakt e kanë vërejtur të gjithë ata që e kanë monitoruar seancat.
Keni ndërprerë avokatin tonë në vazhdimësi kur fliste, nuk e keni lënë të reagojë apo t’i përgjigjet pyetjeve dhe situatave kur ka qenë e nevojshme. Ndërkohë, avokatët e tyre kanë folur sa kanë dashur, madje edhe dy njëherësh, njëri pas tjetrit.
Kjo nuk është e drejtë! Ne jemi palët e dëmtuara, kemi humbur një njeri të dashur i cili ka lënë jetimë.Sipas nesh, që në fillim kjo gjykatë ka shkelur rregullat dhe ligjin. Kemi parë shumë gjëra të gabuara që na bëjnë të mos besojmë më në këtë gjyq.
Një moment tjetër që na ka lënë të shokuar dhe të tmerruar ishte sjellja juaj gjatë seancës kur përfaqësuesi ynë ligjor po i parashtronte pyetje ekspertit të psikiatrisë. Ndërsa avokati ynë po përpiqej të sqaronte disa detaje të rëndësishme për çështjen, ju, pa asnjë arsye në raport me ne, keni dalë jashtë kontrollit. Keni filluar të godisni tavolinën me grusht. Ky shpërthim i dhunshëm dhe i paarsyeshëm na ka bërë të ndihemi të frikësuar dhe të pambrojtur në sallën e gjyqit. Më e keqja është se ndërkohë që ju po silleshit në këtë mënyrë të papranueshme, avokati i palës tjetër fliste lirshëm, komentonte dhe ndërhynte pa i dhënë fjalën ju si gjyqtar. Kjo sjellje e dyfishtë dhe e padrejtë që e ka parë krejt Kosova dhe na ka bindur plotësisht se nuk mund të presim drejtësi nga ky gjyq.
Për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera që nuk i kemi përmendur në këtë letër e që do t’i themi më vonë, ne nuk do të vijmë më në gjykimet e radhës dhe nuk do të na përfaqësoj më askush.
Ky sistem na ka zhgënjyer thellësisht dhe na ka bërë të ndihemi të pambrojtur.
Nuk kemi më forcë të luftojmë kundër kësaj padrejtësie.
Sot, largohemi nga gjykimi me zemër të thyer dhe shpirt të plagosur, por ju jeni të lirë të bëni çfarë të doni tani e tutje.
Na keni marrë edhe atë pak shpresë që na kishte mbetur.
Ketë letër e kemi shkru e gjithë familja bashkë me babën, nenën, gruan dhe fëmijët e Kastriotit dhe motrat dhe atë me dhimbje dhe zhgënjim të thellë.
Visar Ramadani dhe familja Ramadani
10.12.2024,
Drenas”.
Ndryshe, në seancën e së enjtes gjykatësi Gashi njoftoi se përmes një parashtrese nga prokurorja e rastit, Bukurie Gjonbalaj, janë njoftuar për plotësimin aktakuzës ndaj të akuzuarit Pajaziti.
Ai tha se ky plotësim ka të bëjë vetëm me atë se tani e tutje në cilësinë e të dëmtuarve do të dëgjohen edhe dëshmitarët e këtij rasti: G.H., A.Z., A.A., N.N dhe H.G., ndërsa kualifikimi i kësaj vepre penale mbetet i njëjtë.
Në këtë seancë, u dëgjua dëshmitarja R.B., e propozuar nga Prokuroria, e cila kishe qenë në lokalin “Bon Vivant” ditën kritike.
Duke rrëfyer ngjarjen kritike që ndodhi natën e 4 gushtit 2023 në “Bon Vivant”, dëshmitarja tha se nuk e njeh të akuzuarin Pajaziti dhe se nuk e kishte parë më parë.
R.B., tha se në momentin kur kishte dëgjuar krismat e armës e më pas një rafal gjuajtjesh me armë zjarri, ishte fshehur poshtë tavolinës. Sipas saj, në atë moment kishte menduar se është ndonjë atentat.
“Unë të them të vërtetën kam menduar se ka të bëjë me ndonjë atentat”, tha R.B,.
Pas kësaj, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar një ditë tjetër.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.
Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.