Iu refuzua kërkesa për vizitë në Preshevë, reagon Çeku: Lojë e ndytë e Serbisë

Aktuale

Iu refuzua kërkesa për vizitë në Preshevë, reagon Çeku: Lojë e ndytë e Serbisë

Më: 19 dhjetor 2024 Në ora: 18:50
Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës i Kosovës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas i është refuzuar kërkesa për të vizituar Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe, vetëm një orë para kohës së planifikuar për udhëtim.

Kërkesa ishte bërë me qëllim të një vizite për të takuar kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, si dhe për të vizituar disa institucione kulturore dhe rinore të rajonit.

Çeku ka shprehur shqetësimin se ky veprim nga ana e Serbisë është një shkelje e Marrëveshjes së Brukselit, që parashikon një afat 48-orësh për përgjigje në kërkesat për vizita zyrtare.

“Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë.

Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për tu pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë. Qeveria e Serbisë refuzoi hyrjen në Serbi vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Çeku ka theksuar se ky refuzim nuk do të pengojë përpjekjet e Kosovës për të mbështetur dhe qëndruar pranë qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët vazhdojnë të përballen me vështirësi në të drejtat e tyre.

“Qëllim i vizitës sonë ishte takimi me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës, takim me organizata rinore dhe kulturore.

Përkundër kësaj, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim e të jemi pranë qytetarëve të Preshevës, teksa Serbia vazhdon ta dëshmoj e ridëshmoj se nuk është e interesuar për marrëdhënie normale fqinjësore”, ka shtuar Çeku.

Më herët ka reaguar edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Ajo ka theksuar se veprimi i Serbisë është një tentativë për të penguar bashkëpunimin dhe komunikimin institucional mes Kosovës dhe Luginës së Preshevës.

Edhe politikani shqiptar i Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, ka reaguar në lidhje me refuzimin e vizitës. Ai e ka cilësuar këtë veprim si një përpjekje të Serbisë për të izoluar shqiptarët dhe për të ndërprerë lidhjet kulturore mes Kosovës dhe Luginës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat