Presidentja e vendit Vjosa Osmani-Sadriu gjatë qëndrimit në Bruksel ku ka marrë pjesë në takimin me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian me rastin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Presidentja osmani ka thënë se duhet të respektohet meritokracia që të ecët përpara me hapa konkret për Kosovën drejt integrimit në BE si dhe të mos ketë anshmëri në procesin e dialogut ku sipas saj BE-ja më shumë ka ledhatuar Serbinë. Njohësit e Marrëdhënieve Ndërkombëtare thonë se këto deklarata janë jo ekuilibruese dhe se sipas tyre, procesi për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian do të merr kohë pasi që pengesë cilësohen pesëshja mosnjohëse ndaj Kosovës.
Bashkimit Evropian përsëri po i bëhet thirrje të përshpejtojë procesin e integrimit të Kosovës në Union.
Presidentja e vendit Vjosa-Osmani Sadriu gjatë qëndrimit në Bruksel të mërkurën në samitin BE-Ballkani Perëndimor, ka kërkuar nga liderët evropian anëtarësimin në bllok duke e trajtuar menjëherë aplikacionin e Kosovës dhe duke larguar masat e vendosura.
Njohësit e Marrëdhënieve Ndërkombëtare thonë se një gjë e tillë është vështirë e realizueshme tani.
Sipas Selam Shkodrës, presidentja Osmani ka kritikuar BE-në për njëanshmëri por sipas tij, duhet të bëhen reforma të brendshme.
“Mendoj se ishte një deklaratë pak jo ekuilibruese me faktin se është sulmuar Bashkimi Evropian kinse për njëanshmërinë në procesin integrues mendoj se vendi duhet të bëjë hapa në këtë drejtim dhe duhet të kryhen reforma të brendshme dhe të plotësoi kriteret të cilat janë të njohura me aktet e Bashkimit Evropian dhe politikat e tij sic janë kriteret e Kopenhagës”, tha njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Selam Shkodra.
E profesori për Marrëdhënie Ndërkombëtare Seb Bytyçi e sheh si diskriminim qasjen e BE-së ndaj Kosovës sepse sipas tij, Serbia po ledhatohet nga Blloku Evropian.
“Nuk besoj se do të ketë përshpejtim edhe pse shihet qartë se ka një diskriminim ndaj Kosovës. Është diskutuar aplikacioni për të marrë statusin e kandidatit dhe në përgjithësi qasja e njëanshme e BE-së, dhe politika akomoduese e Serbisë, tashmë mund të thuhet se është bërë një problem serioz për sigurinë në Ballkan dhe Evropë, sepse e kemi rastin e Banjskës”, tha Bytyçi.
Bytyçi shtoi se pengesë për procesin e integrimit të Kosovës në mënyrë të përshpejtuar po e pengon edhe pesëshja mos-njohëse.
“Është definitivisht problematike vazhdimi i mosnjohjes së Kosovës nga këto shtete, ajo që është edhe më problematike është mungesa e vullnetit nga shtetet që e njohin Kosovën, që t’iu bëjnë thirrje këtyre shteteve që ta njohin Kosovën”, tha ai.
Unioni evropian e ka pranuar aplikacionin e Kosovës më 15 dhjetor të vitit 2022, por të njëjtin nuk e ka shqyrtuar ende, ndërkaq Kosova vazhdon të mbetet nën masa pas vendimeve të cilësuara të njëanshme të Qeverisë nga ana e Bashkimit Evropian.