Kandidati për deputet nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka deklaruar se Kosova para ardhjes së Qeverisë Kurti ka qenë e angazhuar në disa cikle të cilat siç ka thënë’ ishin të dëmshme për ekzistencën e saj si shtet’.
Kraki ka thënë se për këtë arsye Kosova ka pasur nevojë jetike për ripozicionim në tavolinë edhe në Bruksel edhe kudo tjetër.
Sipas tij kjo gjë është arritur në këto katër vite falë qasjes ndryshe të Qeverisë Kurti
“Kosova ka pasur nevojë jetike sikur ‘peshku për ujë’ që të ripozicionohet. Mos harroni se Kosova ka qenë e angazhuar në disa cikle që kanë qenë të dëmshme për vetë ekzistencën e saj apo qenësinë e saj si shtet. Kosova kur ka ardhur kjo qeveri ishte në proces negociimi për shembull dialogu me Serbinë duke mos e ditur apo sqaruar mirë çka pranon apo kërkon Kosova dhe i kishte lëshuar koncesione Serbisë pa marrë asgjë, të paktën pa pasur ndonjë premtim konkret. Ishte nënshkruar e pranuar e votuar version skandaloz i Asociacionit pa e pasur askund asnjë dokument se do të lëshonte diçka Serbia e do të merrte diçka Kosova. Do të thotë në këtë konfiguracion gjendej Kosova dhe ka pasur nevojë jetike që të ripozicionohet në tavolinë edhe në Bruksel edhe gjithandej Kjo ka ndodhur falë një qasje krejt tjetër”, është shprehur ai.
Kraki ka shtuar se ardhja e Kurtit në pushtet ishte fundi i kryeministrave që vendoseshin në ballë me kalkulime politike, sepse sipas tij është ndryshe kur i flet një partneri me legjitimitet të plotë dhe ndryshe kur i flet me përqindje më të vogël.
“Legjitimiteti ka shumë rëndësi, kur je legjitim flet në emër të një populli i cili të ka legjitimuar dhe ishte fund i kryeministrave apo përfaqësuesve politik që vendoseshin në ballë si kallauz me kalkulime politike që s’mund të them që janë skandaloze, janë edhe ato legjitime, por është ndryshe kur i flet një partneri duke pasur legjitimitetin e plotë dhe shumë ndryshe kur if let një partneri me 7% apo 12%”, ka shtuar ai.