Kurti flet për arritjet e përbashkëta Kosovë- Shqipëri, Rama propozon rezolutë për të akuzuarit në Hagë, përmend Rugovën dhe...

Aktuale

Kurti flet për arritjet e përbashkëta Kosovë- Shqipëri, Rama propozon rezolutë për të akuzuarit në Hagë, përmend Rugovën dhe...

Më: 20 dhjetor 2024 Në ora: 08:11 Përditësuar në ora: 12:24 më 20.12.2024
Foto ilustrim

Rama citon presidentin Rugova: Objektivat tona janë integrimi në BE dhe NATO, në miqësi permanente me SHBA-në

Kryeministri i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka cituar presidentin historik, Ibrahim Rugova për objektivat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë drejt BE-së dhe NATO-së, si dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Plot 20 vjet më parë, në vitin 2004, presidenti Ibrahim Rugova tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se, citoj

“Objektivat e përbashkëta të Kosovës dhe të Shqipërisë janë integrimi në BE, NATO dhe në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi sot janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Evropës e botës dhe e kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe evropiane.

Këto fjalë kaq të thjeshta janë gjithçka, që në fakt na duhet dhe na mjafton për të mos e humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit përfundimtar me familjen e madhe evropiane, si dhe për të mos e hequr nga mendja, që këtë shans historik, shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses vetëm si trimi i mirë me shokë shumë.”

Osmani: Le t’i afrojmë Kosovën e Shqipërinë më shumë, me bashkëpunim e koordinim më të shpeshtë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka marrë fjalën në mbledhjen e përbashkët mes Kuvendit të Kosovë dhe të Shqipërisë.

“Po jetojmë në një kohë të trazuar e cila kërkon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është thjesht një zgjedhje. Një Shqipëri e fortë do të thotë edhe një Kosovë edhe më e fortë, një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lartë Shqipërinë.

Lidhja e thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e rrënjosur në histori, nën sakrificat e panumërta. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike. Është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Kosova dhe Shqipëria janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh.

Le t’i afrojmë dy shtetet tona më shumë” – tha në fund Osmani.

Kryeparlamentarja e Shqipërisë: Kam lindur në Tiranë por me shtëpi zemre jam nga Prishtina e Prizreni

Sot po mbahet seanca e përbashkët e kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka emocionuar gjatë fjalimit të saj në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka thënë se ka lindur në Tiranë, por si shtëpi të saj i konsideron edhe Prishtinën e Prizrenin.

“Unë jam me origjinë nga bregu i Labërisë së Shqipërisë, Kam lindur në Tiranë, por me shtëpi zemre jam nga Prishtina dhe Prizreni. E po kështu, secili nga ne është njëkohësisht nga Durrësi e Gjakova, nga Drenica e Shkodra, nga Korça e Peja, sepse jemi një gjak e një gjuhë, një histori e një kulturë…”, ka thënë Spiropali.

Mes tjerash, ajo iu ka bërë thirrje qytetarëve nga Kosova e Shqipëria, që të qëndrojnë të bashkuar.

Konjufca e nis mbledhjen e parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë duke përmendur sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc

Kryekuvendari Glauk Konjufca ka qenë i pari që ka folur më mbledhjen e sotme të përbashkët mes parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai para deputetëve të të dyja shteteve ka thënë se janë bashkë pas sulmeve terroriste që Kosova ka pasë në Banjskë vitin e kaluar, dhe nëntorin e këtij viti në kanalin kryesor të Ibër Lepencit.

Mbledhja e përbashkët parlamentare nis me Himnin e Kosovës dhe atë Kombëtar

I ka hapur punimet e saja mbledhja mes dy parlamenteve të vendeve shqip-folëse, Kosovës dhe Shqipërisë.

Në sallën e Kuvendit të Kosovës sot u mblodhën liderët e të dyja shteteve bashkë me kryekuvendarët, Glauk Konjucfa dhe Elisa Spiropali.

Në fillim të seancës janë lëshuar Himni i Kosovës dhe Himni Kombëtar.

Kryeministri Rama mbërrin në Kuvendin e Kosovës, pritet nisja e seancës së përbashkët

Kryeministri Edi Rama mbërrin në Kuvendin e Kosovës, pritet nisja e seancës së përbashkët.

Parlamenti i Shqipërisë dhe i Kosovës do të mbajnë sot një seancë të përbashkët që pritet të nisë në orën 11:00 në Prishtinë.

Në këtë mbledhje do të jenë të pranishëm 130 deputetë. 70 ligjvënës do të jenë nga Kuvendi i Kosovës dhe 60 të tjerë nga Kuvendi i Shqipërisë.

Po ashtu në mbledhjen e përbashkët do të jenë edhe dy kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti.

Në agjendën e parashikuar të këtij takimi është parashikuar që pas himneve të të dyja vendeve, mbledhja të nisë me fjalën e kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe pas tij do të flasë kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Më pas do të pasohet nga fjalimi i kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama dhe nënkryetarëve të grupeve parlamentare.

Fokusi do të jenë intensifikimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në këtë mbledhje të përbashkët do t’i bëhet një bilanc zbatimit të 30 marrëveshjeve të përbashkëta ndërqeveritare Kosovë-Shqipëri.

Kjo do të jetë mbledhja e dytë e përbashkët e dy parlamenteve.

Ligjvënësit e të dy shteteve u mblodhën të dielën e 27 Nëntorit 2022 në Parlamentin Shqiptar, në vigjilje të 110-vjetorit të Pavarësisë.

Takimi në Prishtinë mes dy parlamenteve fillim vitin e ardhshëm, vjen në një kohë kur është ndalur tradita e mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive.

Ne qershor të 2023 supozohej mbajtja e mbledhjes së dy qeverive paracaktuar për t’u zhvilluar në Gjakovë, por u anulua.

Atë kohë kryeministri Edi Rama sqaroi se kjo mbledhje nuk u realizua pas refuzimit të kryeministrit Albin Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat